Rriten rastet e fruthit në mbarë botën, paralajmëron OKB-ja

Rriten rastet e fruthit në mbarë botën, paralajmëron OKB-ja

Shëndetësi April 27, 2022 - 22:04

Rastet e fruthit janë rritur me gati 80 për qind në mbarë botën këtë vit, thanë Kombet e Bashkuara të mërkurën, duke shtuar se rritja e rasteve të fruthit ishte një paralajmërim për shpërthimet e mundshme të sëmundjeve të tjera.

Pandemia e koronavirusit ndërpreu fushatat e vaksinimit për shumë sëmundje në mbarë botën, duke krijuar një “stuhi të përsosur” që tani mund të rrezikojë jetën e miliona fëmijëve, thanë në një deklaratë Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

“Pothuajse 17 mijë e 338 raste të fruthit u raportuan në mbarë botën në janar dhe shkurt 2022, krahasuar me nëntëmijë e 665 gjatë dy muajve të parë të vitit 2021”, thanë agjencitë e OKB-së, duke shtuar se rastet e fruthit shumë të transmetueshëm, priren të shfaqen shpejt kur nivelet e vaksinimit bien.

Agjencitë tani janë të shqetësuara se shpërthimet e fruthit mund të paralajmërojnë shpërthime të sëmundjeve të tjera që nuk përhapen aq shpejt, përcjell Klankosova.tv

Ka pasur 21 shpërthime të mëdha dhe shkatërruese të fruthit në 12 muajt e fundit deri në këtë muaj, shumica prej tyre në Afrikë dhe Mesdheun lindor, tregojnë të dhënat e OKB-së.

Somalia regjistroi deri tani numrin më të madh të rasteve të fruthit në 12 muajt e fundit, me më shumë se nëntëmijë raste, tregojnë të dhënat e OKB-së, e ndjekur nga Jemeni, Afganistani, Nigeria dhe Etiopia -të gjitha vendet që përballen me një formë konflikti.

Ekziston gjithashtu frika se lufta në Ukrainë mund të nxisë një ringjallje të sëmundjes në vend, i cili kishte regjistruar shkallën më të lartë të fruthit në Evropë midis viteve 2017 dhe 2019.