Gjashtë çaja bimorë që janë shpëtim për ju që vuani nga dhimbja e kokës

Gjashtë çaja bimorë që janë shpëtim për ju që vuani nga dhimbja e kokës

Shëndetësi March 22, 2024 - 12:25

Ndoshta, për dashamirësit e kësaj pijeje, nuk ka një orë apo motiv të caktuar për të shijuar çajin.

Mund të jeni në një gjendje gripale, dhimbje fyti, dhimbje në stomak ose të keni plot arsye të tjera që ju bëjnë të shijoni një çaj të ngrohtë. Me veti qetësuese dhe anti-inflamatore, disa çajra bimorë ndikojnë edhe në reduktimin e dhimbjeve kronike të kokës. Pikërisht se janë produkte bimore, efekti i tyre në lehtësimin e migrenës apo dhimbjeve kronike të kokës është unik.

Ja gjashtë çajrat që duhet t’i konsumoni më shumë nëse vuani nga dhimbjet e kokës.

Mente

Çaji i mentes duhet të jetë zgjedhja juaj kryesore për reduktimin e dhimbjes së kokës, veçanërisht nëse keni tension ose simptoma të migrenës. Mentja ka efekt në sistemin e qarkullimit të gjakut, që do të thotë se mund të ndihmojë në zgjerimin e rrjedhjes së gjakut në tru, duke zbutur disi edhe dhimbjet e kokës.

Xhinxher

Nëse vuani shpesh nga ndjesia e një stomaku të përzier, për shkak të dhimbjeve të vazhdueshme të kokës, çaji i xhinxherit mund t’ju ndihmojë. Si një produkt anti-inflamator që lehtëson të përzierat dhe simptomat e migrenës, çaji i xhinxherit është ajo që ju duhet.

Kamomili

Kjo bimë vepron si një relaksues i dhimbjes së muskujve dhe jo vetëm. Por, nëse jeni duke përjetuar dhimbje të forta koke, efekti që ka çaji i kamomilit është shumë qetësues dhe relaksues, sidomos nëse konsumohet përpara gjumit.

Çaj limoni

Nëse ankthi po ju shkakton dhimbje koke, çaji i limonit është veçanërisht i dobishëm për reduktimin e ankthit që çon në tension të lartë, dhimbje koke dhe migrenë.

Livando

Kjo bimë është e njohur prej shekujsh për vetitë relaksuese. Por, veçanërisht e dobishme për reduktimin e stresit dhe hormonit të kortizolit, çaji i livandos bën që të flini gjumë më mirë dhe të qetësoheni plotësisht nga dhimbjet e kokës.

Lulja e margaritës

Me vetitë fantastike për reduktimin e dhimbjeve të forta të migrenës, duke penguar lëshimin e hormonit të serotoninës, e cila përkeqëson gjendjen e dhimbjes së kokës, çaji me këtë barishte është gjithçka ju duhet nëse “pushtoheni” nga këto dhimbje.