Numri i të sëmurëve nga kanceri i prostatës në botë po rritet

Numri i të sëmurëve nga kanceri i prostatës në botë po rritet

Shëndetësi April 10, 2024 - 15:53

Numri i njerëzve që vuajnë nga kanceri i prostatës në botë do të rritet nga 1.4 milionë, siç është regjistruar në vitin 2020, në 2.9 milionë deri në fund të vitit 2040, kryesisht në vendet e pazhvilluara dhe të zhvilluara mesatare të botës.

Këtë e tregojnë rezultatet e testeve shkencore të Agjencisë Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin, raporton revista shkencore Lancet.

Vdekjet vjetore globale nga kjo sëmundje në dy dekadat e ardhshme do të rriten me pothuajse 85 për qind, nga 375,000 në rreth 700,000, megjithëse, siç theksohet, numri real i vdekjeve do të jetë dukshëm më i lartë për shkak të keqdiagnostikimit dhe të dhënave jo të plota për sëmundjen në vendet e pazhvilluara dhe vendet e zhvilluara mesatarisht.

Në të njëjtën kohë, numri i vdekjeve nga kanceri i prostatës do të vazhdojë të zvogëlohet në vendet e zhvilluara, një tendencë që është regjistruar që nga fillimi i viteve nëntëdhjetë.

Një nga pjesëmarrësit në hulumtim, profesori Nick James, thotë se një rritje globale e numrit të pacientëve është e pashmangshme, sepse burrat në mbarë botën po jetojnë më gjatë dhe gjithnjë e më shumë po kalojnë kufirin e moshës 50 vjeç, kur shfaqet ky lloj kanceri.

Ky trend, para së gjithash për shkak të rritjes së popullsisë së botës dhe zgjatjes së jetëgjatësisë mesatare, është i pashmangshëm dhe nuk mund të ndalet, qoftë edhe me një ndryshim pozitiv në mënyrën dhe stilin e jetesës.

Prandaj, pohon profesor James, zbulimi i hershëm dhe diagnoza e saktë e këtij lloj kanceri bëhen faktorët më të rëndësishëm në luftën kundër kësaj sëmundjeje, veçanërisht në vendet më të varfra, të cilat do të mbajnë peshën kryesore të rritjes së madhe të numrit të pacientëve në të ardhmen./abcnews