Nënat e binjakëve kanë dyfish më shumë rrezik për sëmundje të zemrës pas lindjes

Nënat e binjakëve kanë dyfish më shumë rrezik për sëmundje të zemrës pas lindjes

Shëndetësi October 28, 2025 - 23:57

Rreziku për t’u shtruar në spital me sëmundje të zemrës është dyfish më i lartë për nënat e binjakëve krahasuar me ato që lindin një fëmijë të vetëm.

Sipas një studimi të publikuar në revistën “European Heart”, rreziku për t’u shtruar në spital me sëmundje kardiovaskulare gjatë vitit të parë pas lindjes është dy herë më i lartë për nënat e binjakëve sesa për ato që kanë lindur një fëmijë të vetëm, shkruan Medical Xpress përcjell Gazeta Shneta.Ky rrezik rezulton edhe më i madh te nënat e binjakëve që kanë pasur tension të lartë gjatë shtatzënisë.

Studimi është udhëhequr nga profesori Cande Ananth, nga Departamenti i Obstetrikës, Gjinekologjisë dhe Shkencave Riprodhuese në shkollën mjekësore Rutgers Robert Wood Johnson, në Nju Xhersi.

Ai tha se: “Shkalla e shtatzënive me binjakë është rritur ndjeshëm në dekadat e fundit, kryesisht për shkak të trajtimeve të fertilitetit dhe moshës më të madhe të nënave. Studimet e mëparshme nuk kanë treguar rrezik të shtuar afatgjatë për sëmundjet e zemrës, por kjo bie ndesh me atë që shohim në praktikën klinike.”

Studiuesit analizuan të dhënat e 36 milionë lindjeve në SHBA, të mbledhura nga databaza “Nationwide Readmissions”, që mbulon periudhën 2010–2020.

Krahasuar me nënat që kishin një fëmijë dhe tension normal, gratë që lindën binjakë me tension normal kishin dyfish rrezik për t’u shtruar në spital për sëmundje të zemrës.

Ndërkohë, nënat që lindën binjakë dhe kishin tension të lartë gjatë shtatzënisë, kishin më shumë se tetë herë rrezik më të madh për probleme kardiovaskulare.