Bislimi: Parandalimi i kancerit të gjirit fillon me kontrolle të rregullta

Bislimi: Parandalimi i kancerit të gjirit fillon me kontrolle të rregullta

Shëndetësi October 30, 2025 - 12:05

Kryetari i Shoqatës së Onkologëve të Kosovës, onkologu Arben Bislimi, ka theksuar rëndësinë e zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit, si mënyra më efikase për ta parandaluar përparimin e sëmundjes.

Bislimi tha se aktualisht zbulimi i hershëm është mundësia e vetme që kemi për identifikimin dhe diagnostikimin e kancerit të gjirit.

“Qëllimi ynë është që të mos lejojmë që sëmundja të përparojë. Derisa nuk kemi një mënyrë tjetër për identifikim dhe diagnostifikim, zbulimi i hershëm mbetet mundësia e vetme”, tha Bislimi.

Ai u bëri thirrje qytetareve të bëjnë kontrolle të rregullta mjekësore, të kontaktojnë mjekun e tyre dhe të kryejnë ekzaminime me ultrazë dhe mamografi.

Sipas tij, fushatat e sensibilizimit, veçanërisht gjatë muajit tetor, kanë rritur ndjeshëm ndërgjegjësimin e qytetarëve, çka tashmë po reflektohet edhe në paraqitjen e rasteve në stade më të hershme të sëmundjes.

“Është vërejtur një mobilizim më i madh gjatë muajit tetor, si nga aspekti i vetëdijesimit, ashtu edhe nga ai logjistik, duke u dhënë më shumë mundësi qytetarëve për diagnostikim të hershëm”, theksoi Bislimi. /rtk