Transplantohet zemra e 400-të në Klinikën e Düsseldorfit – suksesi i radhës i kardiokirurgut shqiptar, Dr. Bedri Ramadani

Transplantohet zemra e 400-të në Klinikën e Düsseldorfit – suksesi i radhës i kardiokirurgut shqiptar, Dr. Bedri Ramadani

Shëndetësi November 20, 2025 - 16:31

Në Klinikën Universitare të Düsseldorfit është realizuar me sukses transplantacioni i 400-të i zemrës, një moment i rëndësishëm për institucionin dhe një arritje e veçantë për kirurgun shqiptar, Dr. Bedri Ramadani, i cili udhëhoqi ekipin gjatë operacionit më 5 nëntor 2025.

Dr. Ramadani, zëvendësdrejtor i Klinikës për Kardiokirurgji, është një nga emrat më të njohur të kësaj fushe në Gjermani dhe më gjerë. I lindur në Vaksincë të Kumanovës, ai e nisi rrugëtimin e tij nga shkolla e mesme në Kumanovë, për të vazhduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Rijekë të Kroacisë. Pas diplomimit, karrierën profesionale e zhvilloi në Gjermani, ku në vitin 2005 përfundoi specializimin në kardiokirurgji.

Image

Për dy dekada ai ishte pjesë e Qendrës Spitalore të Zemrës në Duisburg, një nga institucionet më të njohura në fushën e kardiokirurgjisë. Më pas u transferua në Klinikën Universitare të Düsseldorfit, ku vazhdon të japë kontribut të çmuar. Eksperienca e tij shumëvjeçare, veçanërisht në kardiokirurgjinë minimale invazive dhe në transplantacionet e zemrës, e ka renditur ndër kardiokirurgët më të respektuar jo vetëm shqiptarë, por edhe ndërkombëtarë.

Image

Gjatë karrierës së tij, Dr. Ramadani llogaritet të ketë kryer mbi 7000 ndërhyrje në zemër, mes tyre më shumë se 80 transplantacione. Përveç suksesit profesional, ai njihet edhe për përkushtimin e vazhdueshëm ndaj bashkatdhetarëve, duke ofruar ndihmë, këshilla dhe mbështetje për çështje shëndetësore, si në Gjermani ashtu edhe në vendlindje.

Image

Arritja e transplantacionit të 400-të shënon një tjetër dëshmi të profesionalizmit, përvojës dhe angazhimit të Dr. Ramadanit – një shembull frymëzimi për mjekët e rinj dhe një krenari për komunitetin shqiptar./Zëri

Image
Image