Studim: Personat e vaksinuar kundër COVID-19 kanë rrezik më të ulët vdekjeje, pavarësisht shkakut
Personat që kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës mRNA kundër COVID-19 kanë rrezik dukshëm më të ulët vdekjeje nga të gjitha shkaqet, krahasuar me ata të pavaksinuar, sipas një studimi të ri të realizuar në Francë.
Hulumtimi përfshiu rreth 28 milionë të rritur të moshës 18–59 vjeç dhe tregoi se të vaksinuarit kishin 74% rrezik më të ulët për të vdekur nga COVID-19 i rëndë dhe 25% rrezik më të ulët të vdekshmërisë së përgjithshme, gjatë një periudhe ndjekjeje prej katër vitesh, që nga kulmi i vaksinimit në vitin 2021, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Studimi u realizua nga grupi shkencor Epi-Phare, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare Franceze për Sigurinë e Barnave (ANSM) dhe Fondin Kombëtar të Sigurimeve Shëndetësore, duke u bazuar në të dhëna nga Sistemi Kombëtar i të Dhënave Shëndetësore të Francës.
Sipas autorëve, rreziku më i ulët i vdekjes lidhet kryesisht me mbrojtjen e fortë që vaksinat ofrojnë kundër formave të rënda të sëmundjes, si dhe me reduktimin e komplikimeve të mundshme nga COVID-i i gjatë. Gjatë periudhës së studimit, nuk u vërejt rritje e vdekjeve nga kanceri, sëmundjet kardiovaskulare apo shkaqe të tjera madhore te personat e vaksinuar.
Studiuesit theksojnë se rezultatet përforcojnë sigurinë afatgjatë të vaksinave mRNA dhe e bëjnë shumë të pamundur një lidhje shkakësore mes vaksinimit dhe rritjes së vdekshmërisë./Gazeta Shneta