Kur IA bëhet “mjeku juaj”, lansohet ChatGPT Health - kujdesi për shëndetin dhe risitë

Kur IA bëhet “mjeku juaj”, lansohet ChatGPT Health - kujdesi për shëndetin dhe risitë

Shëndetësi January 09, 2026 - 15:45

Nëse deri më sot keni pyetur ChatGPT se cilin medikament duhet të perdorni për shqetësimet tuaja shqetësore, duket se shërbimi i inteligjencës artificiale “ju ka dëgjuar”, ndaj dhe po prezanton “kujdesin shëndetësor”.

“ChatGPT Health” është shërbimi më i fundit i OpenAI, por jo çdokush mund të ketë akses. Të interesuarit duhet të aplikojnë në listën e pritjes dhe përfshihen të gjithë përdoruesit ChatGPT Free, Go, Plus dhe Pro.

Në një prezantim zyrtar të “ChatGPT Health”, sqarohet se ky shërbim është si një asistent personal për shëndetin, e jo të bëhet zëvendësimi i mjekëve.

Me “ChatGPT Health” mund të bëni pyetje për shëndetin dhe mirëqënien, të lidhni kartelat mjekësore dhe aplikacionet e shëndetit siç janë Apple Health, MyFitnessPal, Function. E gjitha kjo bëhet që përdoruesit të marrin përgjigje më të personalizuara për shqetësimet shëndetësore.

Mund të ngarkohen analizat laboratorike dhe dokumente të tjera mjekësore, për të cilat supozohet të jepen sqarime “si nga një mjek”, por pa e zëvendësuar rolin e këtij të fundit. Gjithashtu mund të hartohen plane dietike e të aktivitetit fizik, si dhe ndihmë për vendime rreth sigurimeve shëndetësore.

Një pjesë e këtyre bëhen dhe me planin standard të ChatGPT, qoftë me pagesë apo jo, por e veçanta e “Health” është ndërlidhja me programet shëndetësore dhe leximi i çdo dokumenti me përpikmëri, duke mos ju lënë në pritje shumë të gjatë për të ditur se çfarë keni deri në vizitën e ardhshme me mjekun tuaj familjar.

Sipas njoftimit të OpenAI, “ChatGPT Health” është ndërtuar në bashkëpunim të ngushtë me mjekë nga e gjithë bota për të perfeksionuar sa më shumë këtë shërbim. Ky bashkëpunim, i shtrirë në një afat kohor prej dy vitesh, ka përfshirë më shumë se 260 ekspertë mjekësorë të cilët kanë ushtruar profesionin në 60 vende të botës, si dhe dhjetëra specialitete, për të kuptuar se çfarë e bën një përgjigje për një pyetje shëndetësore të dobishme ose potencialisht të dëmshme.

Por, “ChatGPT Health” momentalisht funksionon vetëm në ëeb dhe ios, ndërsa në Android vjen së shpejti. Bisedat shëndetësore, dokumentet dhe të gjitha të dhënat e vendosura nga përdoruesi ruhen të ndara nga bisedat e tjera në ChatGPT. Gjithashtu, përdoruesit mund të fshinë të dhënat dhe të mos e marrin më shërbimin “Health”.

Ajo se çfarë e rëndësishme është fakti se “ChatGPT Health” nuk bën diagnoza dhe nuk zëvendëson mjekun. Pra, është një mjet mbështetës e jo një trajtim mjekësor. /tvklan