I ftohti përkeqëson sëmundjet e zemrës dhe mushkërive
Dimri, përveç bukurisë që sjell, shoqërohet edhe me rreziqe serioze për shëndetin. Mjekët paralajmërojnë se temperaturat e ulëta ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e zemrës dhe mushkërive, veçanërisht te personat që vuajnë nga sëmundje kronike kardiake dhe respiratore. Për këtë arsye, këtyre personave u rekomandohet kujdes i shtuar gjatë kësaj stine.Temperaturat e ulëta gjatë dimrit ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e zemrës, duke rritur rrezikun për komplikime shëndetësore. Kardiologët theksojnë se i ftohti shkakton ngushtimin e enëve të gjakut, çka çon në rritje të presionit arterial.
Si pasojë, pacientët që vuajnë nga hipertensioni shpesh përballen me rritje të vlerave të tensionit të gjakut, ndërsa terapia e përdorur më parë mund të mos jetë më e mjaftueshme.
“Temperaturat e ulëta ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e tensionit arterial, prandaj shpesh nevojitet rregullim i terapisë. Rekomandohen kontrolle të rregullta mjekësore, sidomos gjatë ndërrimit të stinëve dhe ndryshimeve të temperaturave”, thekson kardiologu Artan Ahmeti.
Përveç ndikimit në zemër, ajri i ftohtë dhe i thatë irriton rrugët e frymëmarrjes, veçanërisht te personat me probleme të mushkërive. Pulmologët theksojnë se ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë ndërmjet uljes së temperaturave dhe përkeqësimit të sëmundjeve kronike respiratore.
“Pacientët që vuajnë nga bronkiti, astma apo sëmundje të tjera të mushkërive, gjatë ekspozimit ndaj ajrit të ftohtë mund të përjetojnë përkeqësim të gjendjes shëndetësore”, tha për RTK pulmologu, Besim Morina.
Ndërkohë, gjatë dimrit shtohet edhe përhapja e gripit dhe virozave sezonale, të cilat e rëndojnë më tej gjendjen shëndetësore të personave të prekur.