Përdorimi i shpeshtë i inteligjencës artificiale lidhet me nivele më të larta të depresionit

Përdorimi i shpeshtë i inteligjencës artificiale lidhet me nivele më të larta të depresionit

Shëndetësi January 28, 2026 - 22:33

Një studim i ri ka analizuar lidhjen mes përdorimit të inteligjencës artificiale (IA) dhe simptomave depresive, duke zbuluar se personat që e përdorin IA-në më shpesh kanë më shumë gjasa të përjetojnë depresion krahasuar me ata që nuk e përdorin fare. Rezultatet treguan gjithashtu ndryshime të theksuara mes grupmoshave të ndryshme.

Studimi u publikua në “JAMA Network Open”, nga një grup studiuesish që shqyrtuan ndikimin e përdorimit të IA-së në shëndetin mendor. Duke analizuar të dhënat e pyetësorëve nga rreth 21,000 pjesëmarrës në 50 shtete amerikane, studiuesit arritën në përfundimin se përdorimi i lartë i IA-së shoqërohet me një rrezik më të madh për simptoma depresioni, ankthi dhe irritimi, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.

Megjithëse inteligjenca artificiale është bërë pjesë e jetës së përditshme vetëm vitet e fundit, ajo tashmë përdoret gjerësisht, qoftë për qëllime personale, si kërkimi i recetave apo përmbledhja e të dhënave në punë. Si çdo teknologji e re, ndikimi i saj në shëndetin e përdoruesve kërkon vëmendje dhe studim të kujdesshëm.

Ekzistojnë tashmë disa dëshmi joformale që sugjerojnë se chatbot-ët mund të përforcojnë iluzione apo edhe të nxisin mendime vetëvrasëse.

Megjithatë, deri më tani ka pasur pak kërkime akademike mbi marrëdhënien mes IA-së dhe shëndetit mendor, dhe ky studim ndihmon në plotësimin e këtij boshllëku. /Gazeta Shneta