Virusi “Nipah” ngjall shqetësim global, por a rrezikohet edhe Kosova?

Virusi “Nipah” ngjall shqetësim global, por a rrezikohet edhe Kosova?

Shëndetësi February 04, 2026 - 13:47

Virusi "Nipah" ka rikthyer vëmendjen e botës, ndërsa ekspertët paralajmërojnë për rrezikun e lartë që mund të sjellë shpërthimi i tij. Megjithatë, ata theksojnë se qytetarët nuk duhet të panikojnë, por të qëndrojnë të informuar.

Eksperti i shëndetit publik Naser Ramadani, ka bërë të ditur se "Nipah" është një virus i rrallë, por kur ndodhin shpërthime, pasojat mund të jenë të rënda, me shkallë vdekjeje që në rastet e kaluara ka shkuar nga 40% deri në 75%.

Ai ka thënë se Kosova ka nivel të ulët të rrezikut nga ky virus aq sa ka edhe gjithë Evropa, transmeton Zeri.info.

Rreziqet dhe përhapja:

Virusi mund të transmetohet nga kafshët te njerëzit.

Burimet më të shpeshta janë lakuriqët e frutave (Familja Pteropodidae), të cilët nuk gjenden në Shqipëri dhe Kosovë. Lakuriqët vendës (Rhinolophus hipposideros) ushqehen vetëm me insekte dhe nuk përbëjnë rrezik.

Aktualisht "Nipah" nuk përhapet përmes ajrit.

Simptomat e infeksionit përfshijnë ethe, dhimbje koke, konfuzion, lodhje, marramendje, të vjella, diarre dhe vështirësi në frymëmarrje. Në rastet më të rënda, mund të shkaktojë ënjtje të trurit (encefalit) dhe vdekje. Rreth 20% e të mbijetuarve mund të kenë pasoja neurologjike afatgjata.

Diagnostikimi dhe trajtimi:

Testet kryesore: RT-PCR dhe testet e antitrupave (ELISA).

Nuk ka terapi ose vaksinë të miratuar. Trajtimi mbështetet në oksigjenim, hidratim dhe kujdes për funksionet themelore të trupit.

Masat parandaluese:

Mos konsumoni fruta ose lëngje që mund të jenë prekur nga lakuriqët.

Përdorni doreza dhe mbrojtje kur trajtoni kafshët e sëmura.

Evitoni kontakt të afërt me personat e sëmurë dhe mbani higjienën e duarve.

Në spitale, pacientët duhet të izolohen dhe stafi të përdorë maska, doreza, mantila dhe syze mbrojtëse.

Rreziku aktual:

Derisa shpërthimet janë të kufizuara kryesisht në disa zona të Azisë, rreziku për Europën, përfshirë Ballkanin, Kosovën dhe Shqipërinë, mbetet shumë i ulët.

Ekspertët nënvizojnë: “Qëndroni të informuar, jo të frikësuar”, duke theksuar rëndësinë e shmangies së dezinformimeve dhe panikut të panevojshëm.