Studim:Koha e ngrënies ndikon drejtpërdrejt në shëndetin metabolik
Një studim i ri i publikuar në revistën shkencore BMJ Medicine ka zbuluar se përfitimet metabolike nga ushqyerja me kohë të kufizuar (e njohur si agjërim intermitent) varen jo vetëm nga ndjekja e këtij regjimi, por edhe nga ora kur hahet dhe sa zgjat dritarja e ushqimit gjatë ditës.
Vitet e fundit është rritur ndjeshëm popullariteti i ushqyerjes me kohë të kufizuar, një metodë që nënkupton konsumimin e ushqimit brenda një periudhe të caktuar për shembull 8 deri në 10 orë dhe agjërim për pjesën tjetër të ditës, shkruan Medical News, transmeton Gazeta Shneta.
Studime të mëparshme kanë treguar se kjo mënyrë ushqyerjeje mund të ndihmojë në uljen e peshës dhe yndyrës trupore, përmirësimin e kontrollit të sheqerit në gjak, uljen e tensionit, rritjen e ndjeshmërisë ndaj insulinës, si dhe në përmirësimin e shëndetit të zemrës, trurit dhe metabolizmit.
Megjithatë, studimi i fundit thekson se koha e fillimit të ngrënies dhe gjatësia e dritares së ushqimit luajnë rol kyç në rezultatet metabolike.
Sipas hulumtimit, personat që konsumonin vaktet më herët gjatë ditës kishin tregues më të mirë metabolikë krahasuar me ata që hanin më vonë. Po ashtu, një dritare më e shkurtër ushqimi si p.sh. 8 orë në vend të 12 lidhej me përmirësime më të theksuara në parametrat e metabolizmit.
Studiuesit theksojnë se trupi funksionon sipas ritmit cirkadian, një cikël natyror 24-orësh që ndikon në mënyrën se si përpunohen glukoza dhe yndyrnat. Kur ushqimi konsumohet në përputhje me këtë ritëm biologjik, përfitimet për shëndetin mund të jenë më të mëdha.
Edhe pse nevojiten studime të mëtejshme për të kuptuar efektet afatgjata, gjetjet aktuale sugjerojnë se për përfitime maksimale metabolike ka rëndësi jo vetëm çfarë dhe sa hamë, por edhe kur hamë. /Gazeta Shneta