Një e treta e rasteve të demencës lidhen me sëmundje jashtë trurit

Një e treta e rasteve të demencës lidhen me sëmundje jashtë trurit

Shëndetësi February 15, 2026 - 08:19

Një studim i ri i publikuar në revistën prestigjioze Nature Human Behaviour po ndryshon mënyrën se si shihet demenca në mbarë botën.

Sipas analizës së kryer nga studiues të Sun Yat-sen University, rreth një e treta e rasteve globale të demencës nuk lidhen drejtpërdrejt me sëmundje neurologjike, por me probleme shëndetësore që prekin organe dhe sisteme të tjera të trupit, shkruan Nature, transmeton Gazeta Shneta.

Studiuesit analizuan mbi 200 kërkime shkencore dhe identifikuan 16 gjendje shëndetësore periferike që rrisin ndjeshëm rrezikun për zhvillimin e demencës. Midis tyre përfshihen diabeti i tipit 2, humbja e dëgjimit dhe e shikimit, sëmundjet kronike të mëlçisë, problemet me veshkat, çrregullimet kardiovaskulare si dhe infeksionet e mishrave të dhëmbëve. Sipas vlerësimeve, këto gjendje lidhen me rreth 18.8 milionë raste demence në nivel global.

Ekspertët shpjegojnë se lidhja mund të qëndrojë te inflamacioni kronik dhe dëmtimi afatgjatë i enëve të gjakut. Kur organizmi përballet për vite me radhë me diabet të pakontrolluar, probleme metabolike apo infeksione të vazhdueshme, qarkullimi i gjakut drejt trurit mund të dëmtohet, duke ndikuar në funksionimin e tij. Në rastin e humbjes së dëgjimit, theksohet edhe ndikimi social, pasi izolimi dhe mungesa e stimulimit mendor mund të përshpejtojnë rënien kognitive.

Deri më tani, demenca është konsideruar kryesisht si një çrregullim neurologjik i lidhur me plakjen dhe faktorët gjenetikë. Megjithatë, ky studim sugjeron se parandalimi mund të fillojë shumë më herët, përmes kontrollit të sëmundjeve kronike, kujdesit për shëndetin oral, trajtimit të problemeve të dëgjimit dhe shikimit, si dhe menaxhimit të rrezikut kardiovaskular.

Në një kohë kur popullsia globale po plaket dhe rastet e demencës po rriten ndjeshëm, gjetjet e reja nxisin një qasje më të gjerë: ruajtja e shëndetit të përgjithshëm të trupit mund të jetë një nga çelësat kryesorë për mbrojtjen e trurit në të ardhmen. /Gazeta Shneta