Në Spitalin e Mitrovicës hiqet tumori 4-kilogramësh nga një paciente
Një intervenim i ndërlikuar kirurgjik është realizuar me sukses në spitalin e përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.
Siç njofton Spitali, pacientja u pranua në Repartin e Kirurgjisë me ankesa për dhimbje të forta, fryrje të barkut dhe pengesa serioze në tretje (obstipacion).
Pas ekzaminimeve të detajuara imazherike dhe laboratorike, ekipi mjekësor e diagnostikoi pacienten me Tumor Permagna abdominis (tumor me përmasa shumë të mëdha në bark, rreth 4 kilogramë). Sipas njoftimit, pacientja kishte edhe Peritonitis serosa (inflamacion i membranës së barkut me grumbullim lëngu).
Për shkak të rrezikut dhe përmasave të masës tumorale, u vendos për ndërhyrje të menjëhershme kirurgjike. Operacioni konsistoi në Extirpatio tumoris in toto (heqjen e plotë të tumorit), eksplorimin e hollësishëm të zgavrës së barkut, pastrimin (lavazhin) dhe vendosjen e drenazhit.
Gjatë operacionit, ekipi arriti të hiqte me sukses masën tumorale që peshonte rreth 4 kilogramë, duke i rikthyer pacientes funksionet vitale dhe duke eliminuar rrezikun për jetën.
Spitali ka bërë të ditur se aktualisht, pacientja është në gjendje stabile shëndetësore, ndërsa masa tumorale është dërguar për ekzaminim histopatologjik në Institutin e Patologjisë në QKUK.