Tetris si terapi: Lojrat mund të ndihmojnë në përballimin e traumave
Të luash Tetris mund të ndihmojë njerëzit të përballojnë traumën e së kaluarës, sipas një studimi të fundit.
Hulumtimi përfshiu rreth 100 punonjës që kishin përjetuar situata traumatike në punë, përfshirë dëshmimin e vdekjeve gjatë pandemisë. Rezultatet treguan se ata që luajtën versionin klasik të Tetris-it si pjesë të trajtimit përjetuan më pak kujtime ndërhyrëse ose “të këqija”.
Studimi u krye nga ekspertë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Suedi, dhe trajtimi përfshinte rreth 40 persona që luanin një version të ngadaltë të lojës ndërsa kujtonin shkurtimisht një përvojë traumatike.
Emily Holmes, profesoreshë e psikologjisë në Universitetin Uppsala, e cila udhëhoqi studimin, shpjegoi:
“Edhe një kujtim i vetëm i traumës së kaluar mund të ndikojë fuqishëm në jetën e përditshme, duke rrëmbyer vëmendjen dhe duke lënë njerëzit nën ndikimin e emocioneve të padëshiruara.”Brenda katër javësh, ata që morën trajtimin raportuan 10 herë më pak kujtime të ndërhyrshme krahasuar me grupet e tjera, dhe pas gjashtë muajsh, 70% nuk kishin asnjë kujtim ndërhyrës. Përveç kësaj, trajtimi ndihmoi edhe në përballimin e simptomave të çrregullimit të stresit post-traumatik.
Holmes theksoi se metoda nuk është thjesht të luash Tetris, por një trajtim i butë dhe praktik, i përshtatshëm për jetën e ngarkuar të njerëzve.
Efekti i dukshëm psikologjik i lojës, e krijuar nga Alexey Pajitnov në vitin 1984, njihet më parë si Efekti Tetris, ku disa lojtarë raportojnë se shohin blloqe që bien në ëndrrat e tyre ose ndërtesa që lëvizin në rrugë pas orësh të tëra lojë./KultPlus