Ortopedi Bejta flet për dhimbjet e gjunjëve në moshë të re

Ortopedi Bejta flet për dhimbjet e gjunjëve në moshë të re

Shëndetësi April 09, 2026 - 12:14

Në një intervistë për Gazetën Shneta, oprtopedi dr. Artan Bejta nga Spitali i Mitrovicës ka folur për një shqetësim gjithnjë e më të pranishëm te të rinjtë – problemet me gjunjët.

Dhimbjet dhe dëmtimet e gjurit nuk janë më vetëm problem i moshave të vjetra. Sipas specialistëve, ato po shfaqen gjithnjë e më shpesh edhe tek të rinjtë, si pasojë e aktiviteteve sportive intensive, stilit të jetesës dhe faktorëve të tjerë që ndikojnë në shëndetin e nyjeve.

Në këtë intervistë, Dr. Bejta flet për arsyet kryesore të këtyre problemeve, shenjat paralajmëruese, mënyrat e parandalimit dhe trajtimit, si dhe jep këshilla praktike për ruajtjen e shëndetit të gjunjëve që në moshë të re.

Intervista e plotë: 

Çfarë po ndodh me shëndetin e gjunjëve te të rinjtë sot?

Dr. Bejta: A është rritur numri i rasteve?Në vitet e fundit vërehet një rritje e problemeve me gjunjët tek të rinjtë, kryesisht si pasojë e dëmtimeve dhe mbingarkesës gjatë aktiviteteve sportive, si dhe si faktor dytësor për shkak të pasivitetit dhe stilit modern të jetesës.

Cilat janë arsyet kryesore pse po shfaqen dhimbjet e gjunjëve në moshë të re?

Dr. Bejta: Dëmtimet e gjunjëve ndahen në dy kategori kryesore: dëmtime akute, që ndodhin gjatë aktiviteteve sportive si pasojë e lëndimeve, dhe dëmtime kronike, që zhvillohen nga mbingarkesa, mbipesha, biomekanika e dobët, përdorimi i këpucëve të papërshtatshme dhe teknikat e gabuara gjatë ushtrimeve. Nga ana tjetër, pasiviteti dhe stili modern i jetesës, si qëndrimi i gjatë ulur dhe aktiviteti fizik i kufizuar, çojnë në dobësim muskulor, duke rritur ndjeshëm ngarkesën mekanike mbi gjunjë.

Sa ndikojnë aktivitetet fizike intensive (fitness, vrapim, sporte) në dëmtimin e gjunjëve?

Dr. Bejta: Aktiviteti fizik nuk është problem në vetvete, por mënyra se si kryhet është faktor vendimtar në mbrojtjen ose dëmtimin e gjunjëve. Kur realizohet në mënyrë korrekte, ai forcon muskujt dhe stabilizon gjurin; ndërsa kur kryhet gabim, me mbingarkesë apo teknikë të dobët, rrit rrezikun për dëmtime ligamentare, meniskale dhe kërcore.

Sa rol luan mbipesha dhe a ndikon ushqimi apo problemet hormonale në problemet me gjunjët te të rinjtë?

Dr. Bejta: Siç u cek më lart, mbipesha është një faktor kyç në dëmtimet e gjunjëve, pasi rrit ngarkesën mekanike mbi to. Ushqimi ndikon në mënyrë indirekte në këtë problematikë, kryesisht përmes ndikimit në peshën trupore dhe proceset inflamatore. Ndërsa çrregullimet hormonale përbëjnë një faktor më vete, duke ndikuar në metabolizëm, peshë trupore dhe forcë muskulare, çka rrit predispozitën për dhimbje dhe dëmtime të gjunjëve edhe në moshë të re.

A ndikojnë këpucët (sidomos atletet jocilësore ose takat e larta) në shfaqjen e dhimbjeve?

Dr. Bejta: Gjithashtu, këpucët janë një faktor i rëndësishëm në biomekanikën e trupit. Këpucët cilësore duhet të ofrojnë amortizim dhe mbështetje të duhur, duke ndihmuar në shpërndarjen e ngarkesës dhe uljen e stresit mbi gjunjë. Nga ana tjetër, këpucët me taka të larta rrisin ndjeshëm ngarkesën në gjunjë. Prandaj, përdorimi i këpucëve të përshtatshme është thelbësor për ruajtjen e shëndetit të gjunjëve.

Cilat janë shenjat e para që tregojnë se kemi problem me gjunjët?

Dr. Bejta: Dhimbja, ënjtja, kufizimi i lëvizjeve, kërcitja dhe jostabiliteti janë shenjat e para të problemeve në nyjen e gjurit tek të rinjtë.

Si mund të parandalohen dhimbjet e gjunjëve në moshë të re?

Dr. Bejta: Aktiviteti i rregullt fizik me ushtrime të kryera në mënyrë korrekte, ruajtja e peshës trupore normale dhe përdorimi i këpucëve cilësore janë faktorë kyç për shëndetin e nyjes së gjurit. Ndërsa në rastet e dëmtimeve akute të gjurit, si ato ligamentare dhe meniskale, trajtimi në kohë është thelbësor për ruajtjen e funksionit dhe shëndetit të gjurit.

A rekomandohen ushtrime specifike për forcimin e gjunjëve?

Dr. Bejta: Ushtrimet për nyjen e gjurit zakonisht fokusohen në forcimin e muskujve përreth saj, duke ndihmuar në stabilizimin dhe mbrojtjen e gjurit. Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim luan edhe përdorimi i biçikletës statike, e cila përmirëson lëvizshmërinë dhe forcën muskulore me ngarkesë të ulët mbi nyje, duke e bërë të përshtatshme për menaxhimin e problemeve të gjurit.

Kur është e nevojshme terapia fizikale dhe kur ndërhyrja kirurgjikale?

Dr. Bejta: Tek problemet e lehta deri mesatare, roli i terapisë fizikale është kyç në trajtim, pasi ndihmon në lehtësimin e dhimbjes, forcimin e muskujve dhe përmirësimin e funksionit të gjurit. Ndërsa terapia kirurgjikale është shumë e rëndësishme në rastet e dëmtimeve sportive më të rënda, si dëmtimet ligamentare dhe meniskale, kur trajtimi konservativ nuk është i mjaftueshëm.

A është normale të “kercasin” gjunjët dhe kur duhet të shqetësohemi?

Dr. Bejta: Duhet të konsultohet ortopedi kur kërcitja e gjunjëve shoqërohet me simptoma si dhimbje, ënjtje, kufizim të lëvizjeve ose jostabilitet, pasi këto mund të tregojnë dëmtime më serioze të strukturave të gjurit. Gjithashtu, konsultimi rekomandohet nëse simptomat zgjasin, përkeqësohen ose kufizojnë aktivitetet e përditshme.

Çfarë këshille do t’u jepnit të rinjve për të ruajtur shëndetin e gjunjëve?

 Rekomandohet aktivitet fizik i rregullt me ushtrime të kryera në mënyrë korrekte, duke u konsultuar me persona kompetentë, ushqim i balancuar dhe ruajtja e peshës normale. Gjithashtu, është e rëndësishme përdorimi i këpucëve të përshtatshme, respektimi i ngrohjes para aktivitetit dhe rikuperimit pas tij, si dhe shmangia e mbingarkesës së gjunjëve duke eliminuar faktorët e rrezikut që mund të shkaktojnë dëmtime.