Adele po punon me Raphael Saadiqin në albumin e saj të ri

Adele po punon me Raphael Saadiqin në albumin e saj të ri

Showbiz July 06, 2020 - 12:45

Teksa Adele po punon në lansimin e albumit të saj të ri, raportohet se ajo është duke punuar me Raphael Saadiqin.

Albumi i fundit i pop-yllit ishte “25” i vitit 2015, që është albumi i shitur më së shpejti në Mbretërinë e Bashkuar i të gjitha kohërave, duke u shitur në mbi 800.000 kopje në javën e parë, shkruan NME-ja.

Në fillim të këtij viti Adele tha se albumi i saj i radhës do të arrijë në shtator. Duke folur në një dasmë, ku ajo ishte edhe performuese zyrtare për njërin nga miqtë e saj, ajo u tha të pranishmëve që “të presin albumin e ri në shtator”.

Sidoqoftë, menaxheri i saj më vonë konfirmoi që albumi nuk do të arrijë kur këngëtarja mendoi. “Nuk do të vijë në shtator, do të jetë gati kur të jetë gati”, tha Jonathan Dickins, duke shpjeguar se faji është te pandemia COVID-19.

“Ishim të gjithë në të njëjtën barkë, ishim duke punuar dhe papritmas bota ndalon. Do të vijë kur të jetë gati. Unë nuk mund të them një datë për këtë ende. Kemi muzikë, por akoma jemi duke punuar”, raporton “Zëri”.

Tani raportohet se këngëtarja e “Hello”-s po punon me producentin Raphael Saadiq në albumin e ri.

Një burim tha për “The Sun” se Adele “ka qenë fanse e Raphaelit që kur ishte adoleshente dhe se i pëlqen shumë albumet e tij të mëparshme” dhe se “ajo dëshiron që albumi i saj i ardhshëm të jetë plot ‘soul’, me një tingull më eklektik”, raporton “Zeri.info”.