Stingu me Gashin në “Jimmy Fallon Show”, paralajmëron albumin e dueteve

Stingu me Gashin në “Jimmy Fallon Show”, paralajmëron albumin e dueteve

Showbiz September 28, 2020 - 13:22

Gjatë paraqitjes në emisionin “Jimmy Fallon Show”, këngëtari Sting interpretoi këngën “Mama”, singlin e tij të fundit të realizuar në bashkëpunim me reperin shqiptar nga Brooklyni, Gashi, shkruan NME.

Ndërkaq, në po këtë emision, Stingu njoftoi për një album të dueteve, por që nuk dha shumë detaje. Megjithatë, ai la të kuptohet se albumi mund të jetë gati për Krishtlindje. “Përgjatë viteve, kam regjistruar shumë, shumë duete me disa njerëz të mahnitshëm si Herbie Hancock, Eric Clapton, dhe i bëmë të gjithë bashkë dhe thamë, ‘Duhet ta publikojmë këtë’”, i tha ai Fallonit në intervistë. “[Duetet] tingëllojnë mjaft mirë, dhe do të jetë një surprizë për Krishtlindje”, shtoi ai.

Duke diskutuar bashkëpunimin e tij me Gashin, Sting tha: “Me sa duket, ai u ndikua nga këndimi dhe muzika ime shumë. Ai ka shkruar një këngë për marrëdhëniet e tij me mamanë e tij. Ma lëshoi këngën dhe thash se ky është një hit – por, çfarë di unë? – kështu që i thashë se do të doja të isha në të nëse ai do të donte. Kështu që unë u bëra mysafir i këngës dhe bëmë një video së bashku, por në të vërtetë nuk jemi takuar kurrë deri atëherë”. /Zëri