Shqipëria sonte zgjedh këngën për Eurovision 2021
Sonte do të mësohet përfaqësuesi shqiptar në festivalin evropian të këngës “Eurovision 2021”.
Edicioni i 59-të i Këngës në RTSH sonte do të shënojë natën finale, e cila për shkak të kushteve të pandemisë është zhvilluar në ambiente të hapura në sheshin “Italia” në Tiranë.
Finalja me 18-të finalistë tashmë është xhiruar dhe pritet të transmetohet në RTSH sonte nga ora 21:00, ndërsa pjesa e pikëve të jurisë është thënë se do të jetë në transmetim live, shkruan Zeri.info.
Sipas sondazheve vendore por edhe në faqet që merren me lajmet e “Eurovisionit” , favorit për të fituar janë; Rosela Gjylbegu me këngën “Vashëzo”, Era Rusi “Zjarr”, Anxhela Peristeri “Karma”, Mirud “Nëse vdes” dhe Inis Neziri “Pendesë”.
Festivali evropian i këngës, pritet të mbahet në Rotterdam të Holandës më 18,20 dhe 22 maj 2021./Zëri