Bukuroshja nga Kosova “Miss London 2023”: Më bullizuan si refugjate, por hakmarrja ime ishte suksesi

Bukuroshja nga Kosova “Miss London 2023”: Më bullizuan si refugjate, por hakmarrja ime ishte suksesi

Showbiz June 08, 2023 - 11:45

Historia e saj është një nga ato e cila lirshëm mund të përkufizohet me shprehjen “Suksesi është hakmarrja më e mirë”. Franceska Murati, një vajzë shqiptare në një familje emigrantesh në Londër e pati shumë të vështirë inkuadrimin në shoqërinë britanike, pasi duke qenë një refugjate, ajo nuk u pranua kurrë e njëjtë si të gjithë fëmijët e tjerë në shkollë. Megjithatë vetëm disa vjet më vonë, ajo lë anash të gjithë bashkëmoshatarët e saj dhe shpallet më e bukura e Londrës në vitin 2023.

Bukuroshja me origjinë nga Kosova është zgjedhur së fundmi fituese e konkursit “Miss Central London”, i cili është një kompeticion, në të cilin garojnë vajzat më të bukura të Londrës qendrore. Dhe Franceska është fituese e tetë çmimeve të mbrëmjes, përfshirë atë kryesorin. Ku sukses e ka nxitur atë të mendojë drejt një karriere edhe më të madhe në industrinë e modës dhe televizionit. “PSE JO” është tanimë motoja e jetës së saj, pasi ajo ndjen se asgjë nuk mund ta ndalojë. Në një intervistë për Telegrafin, Franceska nga Londra ka treguar historinë e saj të dhimbshme të shpërnguljes nga Kosova si refugjatë, sfidat me të cilat është përballur gjatë jetës dhe për jetën dhe karrierën që ka ndërtuar në Mbretërinë e Bashkuar.

Franceska, ju jeni kurorëzuar së fundmi me titullin “Miss Central London” në mesin e qindrave bukuroshe që konkurruan. Na trego pak sa e gëzuar je për këtë sukses?

Franceska Murati: Shumë! Nuk e prisja fare, ishte një shok për mua realisht! Vajzat e tjera kishin një muaj që ishin shpallur dhe po u përgatiteshin, ndërsa unë kisha dy javë dhe thash me vete “S’kam asnjë shans për të fituar”. Kur pastaj fitova pesë nga tetë çmime ishte një ‘Wow’ për mua. Mbas çdo gjëje, fillova të qaja se thash kam kaq shumë vite që e ndaloj veten nga ky gëzim se mendoja që nuk mund ta bëja, dhe jo vetëm që ia dola po ishte fitimi më i madh në historinë e kompeticionit, kështu që të them se jam e lumtur është shumë pak.

Si jeni ndjerë kur si një shqiptare e ardhur nga një vend i huaj në Mbretërinë e Bashkuar, arritët të rrëmbenit kurorën e më të bukurës së kryeqytetit britanik?

Franceska Murati: Ndihem shumë krenare për veten! Dhe sigurisht mund të imagjinosh që prindërit që kanë bërë një sakrificë kaq të madhe për të ardhur në Angli, janë tepër krenarë! Dhe jam e lumtur që kam realizuar një ëndërr për ata dhe jo vetëm për veten time. Ata kur kanë ardhur nuk kishin asgjë si shumë shqiptar të tjerë dhe nuk e dinin kurrë se si mund te shkonte jeta e familjes së tyre kështu që për mua kjo arritje në Britani të madhe ka shumë rëndësi dhe shpresoj të japë një motiv të mirë për vajzat e tjera shqiptare të arrijnë ëndrrat e tyre jashtë vendit. Plus që unë kam aplikuar për konkursin “Miss Shqipëria” dhe nuk jam pranuar kështu që të marr një sukses si ky në Britani, ka shumë vlerë për mua.

Mbi këtë sukses tuajin kanë raportuar edhe disa prej tabloideve të famshme britanike. Sa e lumtur që je tani që karriera jote është në lulëzim?

Franceska Murati: Shqiptarët shpesh shfaqemi në media vetëm për emër të keq në Mbretërinë e Bashkuar, sidomos këto vitet e fundit. Jam shumë krenare që mund të jap një imazh ndryshe sidomos në mediat britanike, të them që shqiptarët janë të mirë, të zgjuar, të bukur dhe tepër të arritur. Shpresoj të frymëzoj vajza të tjera shqiptare të jenë krenare për veten dhe origjinën e tyre. Unë jam me fat që kam pasur një karrierë shumë të suksesshme për disa vite në fushën e financës, kështu që për mua kjo është një karrierë totalisht ndryshe dhe nuk e prisja që kaq shumë media do ishin të interesuara për mua dhe jetën time. Nuk e di se ku do më çojë kjo rruga e re në jetë, por do e çojë deri në fund dhe jam gati të provoj çdo eksperiencë të re. Më duket sikur gjithë ëndrrat po më realizohen dhe akoma s’po arrij ta procesoj.

Cilat janë aspiratat tuaja të ardhme? Cilën kurorë synoni të merrni tani në vazhdimësi? Tani që keni fituar Miss London, a jeni në garë për Miss Britania e Madhe?

Franceska Murati: E kam provuar fitoren për herë të parë me “Miss London” dhe më pëlqeu shumë shija (qesh). Tani e dua me patjetër kurorën e “Miss Britania” dhe do të luftoj deri në fund për ta marrë. Dua të bëj prindërit krenarë dhe kjo më shtynë çdo ditë për të vazhduar që ta dinë se sakrifica tyre për mua ia ka vlejtur. Ëndrra ime ka qenë gjithmonë të jem prezantuese kështu që do shohim se ku do na çojë kjo eksperienca.

Në mediat angleze është shkruar se keni prejardhje nga Kosova. Cila është në të vërtetë historia juaj e familjes?

Franceska Murati: Unë jam shtetase britanike dhe kam jetuar këtu qysh kur isha fëmijë e vogël, katër vjeçe. Unë jam lindur në Kosovë, nënën e kam nga Shqipëria. Babai im ka lindur në Kosovë, po familja tij ka origjinë nga Shqipëria. Gjithsesi për mua janë një si Kosova si Shqipëria dhe i dua shumë që të dyja.

Sa ka qenë e vështirë të rritesh si një refugjate shqiptare në Londër dhe cilat kanë qenë sfidat me të cilat jeni përballur?

Franceska Murati: Tepër e vështirë. Në radhë të parë për prindërit, sigurisht se nuk është e lehtë të krijosh një jetë nga zero në një vend kur ti nuk e di gjuhën dhe nuk e di kulturën. Unë isha shumë e vogël, kështu që për unë u përshtata direkt dhe anglishtja për mua është gjuha ime e parë, pavarësisht se flas shumë mirë shqip. Problemet filluan më pas, kur isha adoleshente jam bullizuar shumë rëndë. Ka qenë një periudhë shumë e vështirë për mua. Dhe prandaj kam pritur kaq shumë vite për të ndjekur ëndrrat e mia. Mendoja se nuk mund t’i arrija, sepse bulizimi në fëmijëri la një shenj shumë të madhe brena meje.

Ju jeni e martuar dhe nënë e një djali. Na trego pak si është jeta jote në Mbretërinë e Bashkuar?

Franceska Murati: Po, jam e martuar me një burrë shqiptar dhe kemi bashkë një fëmijë të quajtur Charlie, që është rreth tetë muajsh. Kam një jetë shumë të lumtur dhe shumë të bukur në Mbretërinë e Bashkuar. Ndihem e lirë dhe e sigurt dhe më pëlqen që rrethohem nga njerëz të ndryshëm me mendime të ndryshme dhe çdo ditë kam mundësi të mësoj gjëra të reja dhe te provoj gjëra të ndryshme.

Thënia juaj e jetës?

Franceska Murati: “PSE JO” – shumë vite i kam thënë vetes JO! “Jo se nuk mundesh”, “Jo se ti s’e bën dot”, “Jo se je e shëmtuar”, “Jo, jo, jo..”. Dhe me këtë kam humbur shumë mundësi për të bërë veten të lumtur dhe për të arritur ëndrrat kështu që tani kam ndryshuar totalisht dhe për çdo gjë them “pse jo”! Qysh kur kam ndryshuar mentalitet, jeta ime është shumë më e bukur dhe mendoj se të gjithë duhet të themi “pse jo”.

Franceska, faleminderit shumë që ishe pjesë e kësaj interviste. Për fund, cili do të ishte mesazhi yt për të rinjtë shqiptarë që gjithashtu duan të arrijnë sukses në jetë?

Franceska Murati: Mos ndaloni asnjëherë, edhe kur të godasin dhe të hedhin poshtë gjë forcën brenda dhe vazhdo! Suksesi nuk është i lehtë, është për ata që e duan vërtet, kështu që jepni gjithçka që keni brenda vetes sepse në fund çdo gjë ia vlen kur ti fle gjumë natën duke e ditur që ti dhe 100 për qind të vetes për ëndrrat e tua. S’ka asgjë më të hidhur se sa keqardhja.