Rita Ora për ditëlindje në zyrën e tij, Kurti jep detaje të reja rreth takimit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim artisten e mirënjohur nga Kosova, Rita Ora, njëkohësisht Ambasadore Nderi e Kosovës, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj regjisori Taika Waititi, si dhe aktorja e producentja Odessa Rae, të dy fitues të çmimeve Oscar, e po ashtu edhe nga babai i saj, Besnik Sahatçiu si dhe motra Elena Ora.
I pranishëm në takim ishte dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe Drejtorja e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri.
“Një e diel e veçantë, ku Rita Ora feston dhe ditëlindjen e saj të 33-të. Gjatë këtij takimi miqësor, ata folën për fushën e artit e kulturës në Kosovë. Duke pasur parasysh planet e qeverisë për zhvilluar industrinë e filmit vendor, u theksuan marrëveshjet e bashkëpunimit që Kosova ka me vendet e saj partnere në fushën e filmit, ku u veçua ai me shtetin e Francës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, shkruan Zeri.info.
Siç bëhet e ditur, në këtë takim u trajtuan dhe mundësitë e format e bashkëpunimit me qëllim të promovimit të kulturës shqiptare jashtë vendit, përmes artistëve, muzikantëve e regjisorëve të rinj.
“Kryeministri Kurti e cilësoi këtë të diele të këtij takimi të paharrueshme. Duke e uruar dhe për ditëlindjen e saj, ai tha se Rita Ora na bën krenarë të gjithëve, me punën e kontributin e saj. Nga ana e saj, Rita Ora tha se kjo ishte një mënyrë e jashtëzakonshme për të kaluar këtë ditë të veçantë për të, si dhe veçoi ardhjen e saj në Kosovë sot si dhe takimin me Kryeministrin duke i quajtur frymëzues. Ajo theksoi dëshirën për t’u angazhuar më tej e thelluar bashkëpunimin sidomos për të kontribuar për artistët e rinj nga Kosova, veçanërisht nga bota e muzikës dhe filmit”, thuhet më tej në njoftim.
Kurse, kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, ka shkruar sërish në platformën “X” për vizitën e Rita Orës.
Kurti ka thënë se me Rita Orën ka pasur një bisedë produktive, teksa ia ka uruar ditëlindjen asaj.
“Pak gjëra janë më shpërblyese sesa të jesh në shoqërinë e njerëzve që duan të japin mbrapsht, të cilët përdorin pozicionin e tyre të ngritur për të zgjatur dorën dhe për të ndihmuar të tjerët në rrugën e ngjitjes. Kam pasur një bisedë vërtet të këndshme dhe produktive me Rita Orën”, ka shkruar Kurti, të dielën. /Zëri
Few things are more rewarding than being in the company of people who want to give back, who use their elevated position to extend a hand and help others on the way up. I had a truly enjoyable and productive conversation with @RitaOra and @TaikaWaititi today, on Rita's birthday. pic.twitter.com/lmZs8ses2z
— Albin Kurti (@albinkurti) November 26, 2023