Eurovisioni këtë vit nën masa të shtuara sigurie, priten protesta kundër përfaqësimit të Izraelit

Eurovisioni këtë vit nën masa të shtuara sigurie, priten protesta kundër përfaqësimit të Izraelit

Showbiz April 24, 2024 - 14:29

Suedia do të presë këtë vit Eurovisionin me masa të shtuara sigurie për vizitorët, mes protestave të planifikuara kundër pjesëmarrjes së Izraelit.

Konkursi, më i madhi në botë i këtij lloji, mbahet sivjet në Malmo më datat 7-11 maj dhe pritet të tërheqë 100 mijë vizitorë në qytetin e tretë më të madh të Suedisë, i cili ka një popullsi të madhe myslimane, shkruan Reuters.

Organizatorët planifikojnë një homazh të veçantë për grupin suedez të popit ABBA, i cili fitoi Eurovisionin 50 vjet më parë.

Image

Unioni Evropian i Transmetimit (EBU), që organizon konkursin, ka refuzuar thirrjet që Izraeli të përjashtohet për shkak të luftës në Gazë.

Polemikat mbi konfliktin kanë goditur tashmë ngjarje të ndryshme kulturore në të gjithë Evropën.

Fokusi më i madh do të jetë te konkurrentja izraelite Eden Golan, pasi protesta të shumta të mëdha propalestineze janë planifikuar jashtë eventit të Eurovisionit në Malmo.

Izraelit iu lejua pjesëmarrja pasi pranoi të modifikonte tekstin e këngës me titullin fillestar “Shiu i Tetorit”, për të cilin EBU tha se u referohej sulmeve të Hamasit në Izrael, më 7 tetor. /Telegrafi