
Melania e përshkruan takimin e parë me Trumpin: Ndihesha sikur isha në qendër të botës së tij
Melania Trump ka shkaktuar bujë në rrjetet sociale pasi postoi në profilin e saj në X një fragment nga libri “Melania”, i cili doli më 8 tetor 2024 dhe u bë menjëherë më i shituri në Amazon dhe New York Times.
Në klipin dhe fragmentin e shpërndarë, Melania rrëfen takimin e parë me Donald Trump, në një mbrëmje gjatë Javës së Modës në New York, në vitin 1998.
Edhe pse ishte e lodhur pas një udhëtimi nga Parisi, me nxitjen e shoqes, ajo pranoi të shkonte në klubin Kit Kat, vendi ku ndodhi takimi i saj i parë me Trump.
Ajo kujton se Trumpi i la menjëherë përshtypje me sharmin, përqendrimin dhe bisedën e veçantë.
Edhe pse ishte në shoqërinë e një tjetër gruaje atë natë, Melania ndjeu një tërheqje të menjëhershme ndaj tij, duke u ndier “në qendër të botës së tij”, siç shkruan vetë në libër.
Rikthimi i këtyre solli reagime të shumta në rrjet, sidomos për sinqeritetin dhe mënyrën si Melania e përshkruan lidhjen që sapo kishte nisur.
Ndërkohë, ka rifilluar të qarkullojë edhe një intervistë e vitit 1999, ku Melania përballej me pyetjet rreth motivit të saj për të qenë me një njeri kaq të pasur dhe më të madh në moshë.
Në atë kohë, ajo i kundërshtoi zërat që e akuzonin për interesa materiale, duke thënë: “Nuk mund të përqafohesh apo të flasësh me një shtëpi të bukur apo një makinë luksoze. Nëse je me dikë, duhet të ndihesh


e plotësuar”.
Melania dhe Donald Trump u martuan në vitin 2005 dhe kanë një djalë së bashku, Barron Trump, i lindur në vitin 2006.
Postimi i saj i fundit, së bashku me fragmentin nga libri, shihet si një rikujtim publik i lidhjes së tyre, por edhe si një përpjekje për të riafirmuar identitetin dhe rolin e saj në jetën publike dhe familjare të Trumpit.
