
Arrestohet vajza e Ibrahim Tatlises, këngëtarja Dilan Çitak
Këngëtarja Dilan Çitak, e cila prej një kohe nuk ka pasur kontakt me të atin, artistin e njohur turk të muzikës arabeske Ibrahim Tatlises, është përfshirë në një incident serioz në Bodrum.
Ajo nuk iu bind urdhrit të ndalimit nga policia dhe drejtoi makinën e saj drejt një efektivi policie. Vetëm pas të shtënave paralajmëruese në ajër nga ana e policisë, ajo ndaloi makinën, shkruan mediumi turk Aksam.
Ngjarja ndodhi në lagjen Konacik, përgjatë bulevardit Atatürk, ku mjeti i drejtuar nga Çitak po udhëtonte në korsinë e emergjencës. Ajo nuk iu përgjigj urdhrit të ndalimit nga patrulla e policisë dhe u akuzua se drejtoi automjetin në mënyrë të rrezikshme drejt njërit prej oficerëve.

Pas ndalimit të saj me të shtëna paralajmëruese, Çitak qëndroi për pak minuta brenda makinës pa zbritur. Më pas u identifikua si këngëtarja Dilan Çitak.
Ajo u arrestua nën akuzat për “rrezikim të trafikut”, “mosbindje ndaj urdhrave të policisë” dhe “rezistencë ndaj zyrtarit publik”. Procesi i hetimeve ndaj saj në komisariat është ende në vijim.
Sipas agjencisë së lajmeve AA, Dilan Çitak Dorter ishte përfshirë edhe më parë në një incident të ngjashëm. Më 17 shtator, gjatë një fluturimi të linjës Bodrum–Stamboll me Turkish Airlines, ajo ishte paralajmëruar nga stjuardesa që të mos e nxirrte kafshën e saj shtëpiake nga kutia e transportit, sipas rregullores së fluturimit. Çitak kishte hyrë në konflikt verbal dhe më pas, sipas pretendimeve, kishte ushtruar edhe dhunë fizike ndaj personelit të kabinës.
Pas njoftimit të incidentit nga piloti, fluturimi zbriti në aeroportin e Stambollit, ku Dorter u shoqërua nga policia. Stjuardesa ngriti kallëzim ndaj saj në komisariat, ndërsa Çëtak u mor në pyetje dhe më pas u la e lirë.