
Mesazhi “Free Palestine” u shfaq në festivalin “Sunny Hill” në Prishtinë
Në natën e fundit të festivalit ndërkombëtar të muzikës "Sunny Hill" në Prishtinë, në skenën kryesore u shfaq mesazhi "Free Palestine" (Liri për Palestinën), i shoqëruar me një imazh të një pëllumbi me ngjyrat e flamurit palestinez.
Ky mesazh vjen në kohën kur në Gazë njerëzit po vdesin edhe nga uria ekstreme, mori vëmendjen e publikut edhe në rrjetet sociale, duke u parë si një akt solidariteti me popullin e përvuajtur palestinez dhe si thirrje për paqe dhe drejtësi.
Aktivistët dhe shumë pjesëmarrës e kanë përshëndetur këtë veprim si një gjest guximtar që jep zë çështjeve globale përmes artit dhe muzikës. Festivali vazhdon të jetë një platformë jo vetëm për muzikë, por edhe për ndërgjegjësim shoqëror.
Këngëtarja nga Kosova e cila jeton në Britani të Madhe, Dua lipa, në qershor të vitit 2024 e kishte bërë të qartë mbështetjen e saj për Gazën, në një performancë në Glastonbury, duke u afruar për të kënduar së bashku me një koleksion të flamujve të Palestinës në turmë, shkruan TRT Albania.
Fituesja e çmimit "Grammy" u ka kërkuar liderëve botërorë të ndihmojnë në uljen e krizës në Gaza dhe Izrael, duke shkruar në rrjetet sociale vitin e kaluar: "Djegia e fëmijëve të gjallë nuk mund të justifikohet kurrë. E gjithë bota po mobilizohet për të ndaluar gjenocidin izraelit. Ju lutemi tregoni solidaritetin tuaj me Gazën".
Festivali "Sunny Hill", i themeluar nga Dua Lipa dhe familja e saj, mbahet çdo vit në Prishtinë dhe është kthyer në një nga ngjarjet më të mëdha muzikore në rajon, që mbledh artistë të njohur ndërkombëtarisht dhe mijëra pjesëmarrës nga mbarë bota.