Flamuri kuqezi i vitit 1911 hijeshoi dasmën e vajzës në Malësi të Madhe
Foto: Facebook

Flamuri kuqezi i vitit 1911 hijeshoi dasmën e vajzës në Malësi të Madhe

Showbiz August 17, 2025 - 12:01
Dasma që bëri histori, flamuri kuqezi ngrihet pas më shumë se një shekulli

Një ngjarje e veçantë dhe plot simbolikë ka ndodhur në një dasmë shqiptare në Malësinë e Malit të Zi. Në ceremoninë e Samelë Cufajt, vajza e Seladin Cufajt, u ngrit një flamur i rrallë, i cili daton që nga vitet 1911–1912, duke e kthyer këtë dasmë në një moment historik dhe emocional.

Ky flamur i vjetër, dikur i ngritur mbi Deçiq dhe i dorëzuar bajraktarit të Grizhes, Tafil Grizha, është ruajtur me fanatizëm për më shumë se një shekull.

Ai është trashëguar brez pas brezi si një amanet i shenjtë dhe është mbajtur i fshehur për dekada të tëra, larg syve të botës, për t’u nxjerrë në dritë vetëm në raste të jashtëzakonshme.

Mimoza Rexhvelaj, e cila ndau historinë në rrjete sociale, theksoi se ky flamur është dëshmitar i betejave dhe sakrificave të të parëve për mbrojtjen e atdheut. Ai ka qenë simbol i besëlidhjes dhe dashurisë për tokën, një kujtesë e gjallë që lidh gjakun, varret dhe shpirtin e brezave shqiptarë.

Pamjet nga dasma tregojnë flamurin historik të vendosur pranë nuses, duke e bërë pjesë të një dite gëzimi familjar, por njëkohësisht edhe të një rrëfimi kombëtar.

“Ky flamur nuk do të ulet kurrë, ashtu siç nuk është ulur as zemra shqiptare”, ishte mesazhi që shoqëroi këtë moment solemn.

Një dëshmi e fuqishme se rrënjët dhe traditat nuk shuhet as me kohën e as me brezat – përkundrazi, ato kthehen të gjalla në momente që bashkojnë krenarinë kombëtare me gëzimin familjar.

Herën e fundit ky flamur valëviti në fushëbetejën e Luftës së Koplikut, ndërsa sot, pas një periudhe të gjatë heshtjeje, ai është nxjerrë nga kanavata ku ruhej me fanatizëm dhe i është dhuruar një prej bijave të Bajrakut, Samelës, vajzës së Seladin Cufajt në Deçiq. Rikthimi i flamurit është një kujtesë dhe përgjegjësi që lidhet ngushtë me rrënjët dhe krenarinë shpirtërore të shqiptarëve, duke na kujtuar lidhjen e palëkundur me tokën, gjuhën dhe historinë e paraardhësve tanë.