
Zbulohet përmbajtja e kapsulës së kohës së princeshës Diana
‘Kapsula e kohës’ që princesha Diana kishte varrosur në vitin 1991 në spitalin Great Ormond Street është hapur së fundmi dhe brenda saj janë gjetur një CD i Kylie Minogue, një kalkulator me energji diellore dhe një pasaportë.
Kuti druri, e mbuluar me plumb, ishte vulosur për të shënuar vendosjen e gurthemelit të godinës së Variety Club, e cila u inaugurua në vitin 1994.
Objektet në këtë kapsulë ishin menduar të përfaqësonin jetën e viteve 1990.
Ndër të tjera, aty përfshiheshin një televizor dhe një fotografi e princeshës Diana.
‘Kapsula e kohës’ ishte planifikuar të hiqej pas disa qindra vjetësh, por u nxor tani për të bërë vend për ndërtimin e një qendre për fëmijët me kancer.
Princesha Diana kishte vizituar këtë spital disa herë para se të ndërronte jetë.
Ajo gjithashtu ndihmoi disa fëmijë të zgjidhnin objektet që do të vendoseshin në kapsulë.
CD me albumin “Rhythm of Love” të Kylie Minogue ishte zgjedhja e David Watson, atëherë 11-vjeçar. Një vajzë tjetër, Sylvia Foulkes, zgjodhi një koleksion monedhash britanike dhe një enë me pesë fara pemësh, sipas BBC.
Kutia përmbante gjithashtu një kopje të gazetës Times me datën e varrimit të kapsulës. Fotografitë e publikuara nga arkivistët tregojnë disa dëmtime të vogla të objekteve, të cilat nuk janë të konsiderueshme.
Varrosja e ‘kapsulës së kohës’ ishte e ngjashme me ceremoninë e vitit 1872, kur princesha Alexandra vendosi gurthemelin e spitalit dhe kapsulën e saj.
Ajo kapsulë përmbante një fotografi të mbretëreshës Victoria.

