
EBU-ja do të votojë për përjashtimin e Izraelit nga Eurovisioni
Bashkimi Evropian i Transmetuesve [EBU] ka konfirmuar se do të mbajë një votim online në nëntor, i cili mund të rezultojë në përjashtimin e transmetuesit izraelit Kan nga gara e ardhshme e Eurovisionit.
Në një letër dërguar transmetuesve pjesëmarrës të enjten, presidentja e EBU-së, Delphine Ernotte Cunci, ka shkruar se kishte një “laramani të paparë mendimesh” lidhur me pjesëmarrjen e Izraelit në Eurovizion, dhe se çështja kërkonte “një bazë më të gjerë demokratike”.
Në një deklaratë, EBU-ja konfirmoi se ka vendosur që të hedh në votim pjesëmarrjen ose jo të Izraelit në Eurovision 2026, që do të mbahet në Vjenë të Austrisë, shkruan Zeri.info.
Votimi do të mbahet në fillim të nëntorit, në një mbledhje urgjente të anëtarëve të EBU-së, e cila do të mbahet online.
“Mund të konfirmojmë se një letër është dërguar nga Bordi Ekzekutiv i Bashkimit Evropian të Transmetuesve drejtorëve të përgjithshëm të të gjithë anëtarëve tanë, duke i informuar se një votim mbi pjesëmarrjen në Eurovisioni 2026 do të mbahet në një mbledhje të jashtëzakonshme të asamblesë së përgjithshme të EBU-së, e cila do të zhvillohet online në fillim të nëntorit”, thuhet në deklaratën e EBU-së.
Vendimi vjen pas kërcënimeve nga disa transmetues evropianë, duke përfshirë ata nga Spanja, Holanda, Irlanda, Islanda dhe Sllovenia, se do ta bojkotonin edicionin e ardhshëm të ngjarjes më të madhe botërore të muzikës live nëse Izraelit do t’i lejohej të merrte pjesë.
Rusia u ndalua nga Eurovisioni pas pushtimit të saj të plotë të Ukrainës në vitin 2022. Ndërkohë, Izraeli, i cili e ka fituar konkursin katër herë që nga debutimi në vitin 1973, ka vazhduar të marrë pjesë gjatë dy vjetëve të fundit, pavarësisht polemikave rreth pjesëmarrjes së tij. /Zëri