
Jennifer Lawrence për Gazën: Ajo që po ndodh atje nuk është asgjë më pak se gjenocid
Aktorja amerikane Jennifer Lawrence ka dënuar ashpër atë që e quajti “gjenocid” në Rripin e Gazës, duke e cilësuar si “të papranueshëm”, ndërsa kritikoi politikën e SHBA-së për “mungesë integriteti”. Deklaratat ajo i bëri gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në San Sebastian të Spanjës, pak para se të pranonte çmimin prestigjioz Donostia.
“Çfarë po ndodh nuk është asgjë më pak se gjenocid dhe është e papranueshme”, u shpreh aktorja 35-vjeçare në konferencën për media. “Jam shumë e shqetësuar për fëmijët e mi, për të gjithë fëmijët tanë”, shtoi ajo, duke kaluar më pas te situata në vendin e saj.
“Çfarë më trishton më shumë është fakti që kjo mungesë respekti dhe retorika e sotme politike në SHBA po bëhet normale për të rinjtë që sapo kanë filluar të votojnë. Për ta do të duket krejt e zakonshme që politika të mos ketë integritet, që politikanët të gënjejnë dhe të mos tregojnë empati. Por duhet kujtuar se kur injoron atë që ndodh në një cep të botës, shumë shpejt mund ta përjetosh edhe në vendin tënd,” tha ajo, pa përmendur emra.
Fituesja e Oscar-it në vitin 2013 për filmin Happiness Therapy shprehu keqardhje se deklaratat e saj apo të kolegëve shpesh përdoren vetëm për të “shtuar zjarrin e debatit publik”, ndërkohë që, sipas saj, çështje të tilla duhet të trajtohen nga përfaqësuesit e zgjedhur me votë.
Në këtë edicion të 73-të të festivalit, Lawrence prezantoi edhe filmin e saj më të fundit “Umri, dashuri”, me regji të Lynne Ramsay, i cili u shfaq fillimisht në Festivalin e Kanës. Filmi, i bashkëprodhuar nga ajo dhe Martin Scorsese, bazohet në romanin e shkrimtares argjentinase Ariana Harwicz dhe trajton sfidat e një çifti me ardhjen e një fëmije, duke ofruar një qasje të sinqertë e të çliruar nga mitet mbi amësinë.
“Pas lindjes së djalit tim të dytë, përjetova një periudhë shumë të vështirë post-partum. Ishte e çuditshme dhe e rëndë. Duke e parë filmin tani, pas gjithë asaj përvoje, mendoj se Harwicz ka bërë një punë vërtet të jashtëzakonshme”, u shpreh Lawrence. /telegrafi