
“All Natural”, Rita Ora përmbledh paraqitjet e saj glamuroze në Javën e Modës, në një set të ri fotografik
Rita Ora ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram një set të ri fotografish të realizuara gjatë qëndrimit të saj në Paris, në kuadër të Javës së Modës.
Këngëtarja me famë botërore ka shkëlqyer me paraqitje glamuroze në disa evente prestigjioze të kësaj ngjarjeje, duke tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare për stilin dhe elegancën që e karakterizon.
“Energjia e ‘All Natural’”, ka shkruar 35-vjeçarja në mbishkrimin e fotografive, duke e lidhur postimin me këngën e saj më të fundit, “All Natural”, e cila është pritur jashtëzakonisht mirë nga publiku dhe po shënon sukses të vazhdueshëm në platforma muzikore.
Rita, e njohur për lidhjen e saj të ngushtë me botën e modës, ka qenë shpesh e pranishme në eventet më të rëndësishme të këtij lloji, duke e përforcuar imazhin e saj si një nga artistet më me ndikim në kombinimin e muzikës dhe modës.
Ajo vazhdon të punojë në projekte të ndryshme muzikore, gjersa fansat mbeten në pritje të albumit të saj të katërt.