“Dashuri si në filma”, Callumi zbulon takimin e parë me Duan

“Dashuri si në filma”, Callumi zbulon takimin e parë me Duan

Showbiz October 20, 2025 - 11:35

Dua Lipa dhe aktori britanik Callum Turner janë një nga çiftet më të përfolura të momentit.

Dyshja, që filloi lidhjen në janar të vitit 2024, u fejua gjatë Krishtlindjeve të po atij viti, pasi aktori i serialit Masters of the Air i propozoi këngëtares me një unazë të personalizuar, të krijuar sipas këshillave të motrës së saj Rina dhe miqve të ngushtë.

Së fundmi, Callumi ka rrëfyer për herë të parë mënyrën e veçantë se si janë njohur me Duan.

Në një intervistë për The Sunday Times, 35-vjeçari tha se takimi i tyre i parë ndodhi në Los Angeles, në një mbrëmje para festës së ditëlindjes së një miku të përbashkët.

“Ishim ulur pranë njëri-tjetrit dhe zbuluam se po lexonim të njëjtin libër — gjë e çmendur”, tregoi ai. Libri që i bashkoi ishte Trust i autorit Hernán Díaz.

Callumi kujtoi me humor edhe momentin e parë të afrimit:

“I thashë që sapo kisha mbaruar kapitullin e parë, dhe ajo më pa e më tha: ‘Edhe unë sapo e mbarova kapitullin e parë.’ Atëherë i thashë: ‘Atëherë jemi në të njëjtën faqe’”.

Aktori shtoi se takimi i tyre dukej si skenë e dalë nga një film romantik:

“Në versionin e filmit, do të ngrija sytë nga qielli dhe do të thosha: ‘Të dëgjoj. E kuptoj. Shenjat janë të qarta’. Dhe ky ishte momenti i parë”.

Ai zbuloi gjithashtu se më herët kishin pasur disa “takime të humbura”:

“Kishim dy, tre, katër, ndoshta pesë raste kur mund të ishim takuar, por s’ndodhi. Ajo shkoi në një festë, unë shkova më vonë – disa minuta pasi ajo ishte larguar”.

Në fund, Callumi pranoi se gjithmonë e kishte parë Duan si “gruan më të bukur në botë”.

Çifti u pa për herë të parë bashkë në janar 2024, pas premierës londineze të Masters of the Air, dhe më vonë u fotografuan duke u puthur gjatë një takimi në Los Angeles. Në korrik, Dua publikoi një foto nga festivali Glastonbury krah Callumit, duke konfirmuar në heshtje lidhjen e tyre.

Në dhjetor ata u fejuan, ndërsa në maj 2025 debutuan si çift në tapetin e kuq të Met Gala. Në një intervistë për British Vogue në qershor, Dua konfirmoi:

“Po, jemi fejuar. Është shumë emocionuese”. /prive by liberta