Më 4 shkurt Alban Skënderaj do të performojë në sallën legjendare “Eventim Apollo” të Londrës
Foto: Facebook

Më 4 shkurt Alban Skënderaj do të performojë në sallën legjendare “Eventim Apollo” të Londrës

Showbiz October 23, 2025 - 10:08

Këngëtari i njohur Alban Skënderaj me koncertin e tij “Motiv i jetës time” do të paraqitet për herë të parë në Londër, në një nga sallat më legjendare të Londrës dhe botës, “EVENTIM APOLLO”.

Kjo sallë ndryshe është e njohur edhe si “Hammersmith Apollo” dhe konsiderohet si një sallë historike pasi në të kanë performuar shumica e yjeve botërore, duke nisur nga The Beatles, Rolling Stones, Queen, Elton John deri tek Adele, Coldplay, Ed Sheeran etj.

“Jam shumë i lumtur dhe krenar që më në fund u krijua mundësia që një produksion artistik, 100% shqiptar dhe i përmasave të mëdha të mbahet në Mbretërinë e Bashkuar. Aty ku komuniteti jonë jeton prej shumë vitesh dhe ku shpesh herë nuk i janë dhënë meritat për kontributin, arritjet dhe përfaqësimin dinjitoz me të cilin shumica e heshtur na ka përfaqësuar!

Është koha të tregojmë anën tjetër, atë të vërtetën! Të tregojmë kulturën, artin, traditën dhe vlerat e vyera të kombit tonë!”, ka shkruar këngëtari Skënderaj në rrjetin social Facebook.

Skënderaj ka thënë se për biletat online dhe çdo informacion tjetër publiku do të njoftohet me kohë.

“Ju përshëndes dhe mezi po pres të shkruajmë së bashku një tjetër copëz histori!”, ka shkruar ai.