Alba pas akuzave për produksionin po largohet nga BBVK dhe ofendon shtëpinë: Sistem i fëlliqur
Mbrëmja e sotme në Big Brother VIP Kosova është shoqëruar me tensione të forta, pasi banorja Alba Pollozhani ka pasur një konflikt të hapur me produksionin dhe moderatorin e programit, Alaudin Hamitin.
Gjithçka nisi pasi Albës iu transmetua një klip që pasqyronte momentet ku, gjatë javës, ajo dhe Benita dyshohet se kanë bullizuar banoren më të re të shtëpisë, Elijona Binakaj. Pamjet ndezën menjëherë reagimin e Albës, e cila e kundërshtoi fort mënyrën se si ishte montuar klipi, duke e cilësuar si të padrejtë dhe tendencioz.
Pas një debati të ashpër me Alaudinin, gjatë të cilit ajo akuzoi produksionin për manipulim, situata u përshkallëzua edhe më tej. E irrituar dhe me tone të larta, Alba u ngrit në këmbë dhe kërcënoi se do të largohej nga shtëpia.
“Sistem i fëlliqur!”, u dëgjua të thoshte ajo, teksa largohej nga zona e diskutimit.
Ende nuk dihet nëse Alba do të qëndrojë në program apo nëse do të marrë një vendim final për t’u larguar. Ngjarja ka ndezur reagime të shumta në rrjetet sociale dhe pritet që produksioni të japë një sqarim gjatë orëve në vijim.