Burri që kapi për krahu Ariana Granden në premierën e filmit është dëbuar nga Singapori
Një burrë australian që kërceu mbi një barrikadë dhe kapi yllin e Hollivudit Ariana Grande është dëbuar dhe i është ndaluar hyrja në Singapor.
Johnson Wen, 26 vjeç, u dënua me nëntë ditë burg për shqetësim publik dhe tani është “ndaluar të hyjë sërish në Singapor”, tha për mediat lokale Autoriteti i Emigracionit dhe Pikave të Kontrollit (ICA).
Wen shtyu fotografët dhe vrapoi drejt aktores dhe këngëtares, e cila po merrte pjesë në premierën aziatike të Wicked: For Good më 13 nëntor. Bashkëprotagonistja Cynthia Erivo e zmbrapsi atë nga Grande.
Wen ka një histori të prishjes së koncerteve dhe eventeve të personazheve të famshëm, përfshirë kërcimin në skenë gjatë koncertit të Katy Perry në Sidnej në qershor të këtij viti.
Incidenti shkaktoi zemërim në Singapor, me shumë njerëz që e akuzuan atë se e ka traumatizuar sërish Grande-n.
Këngëtarja ka treguar më parë se ka vuajtur nga stresi post-traumatik pas sulmit vetëvrasës me bombë në koncertin e saj në Mançester në maj 2017, ku u vranë 22 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.
Gjatë gjyqit të Wen-it, sipas mediave singaporiane, gjykata dëgjoi se ai kishte tentuar të hynte në premierën e filmit dy herë.
Ai më pas bëri një përpjekje të dytë për të kapërcyer barrikadat. Stafi i sigurisë e ndaloi dhe e shtriu përtokë.