Edhe DailyMail shkruan për vdekjen tragjike të Shpat Kasapit: Ylli i popit shqiptar për të cilin shprehu ngushëllime edhe Bebe Rexha

Edhe DailyMail shkruan për vdekjen tragjike të Shpat Kasapit: Ylli i popit shqiptar për të cilin shprehu ngushëllime edhe Bebe Rexha

Showbiz November 28, 2025 - 18:26

Vdekja e papritur e këngëtarit të njohur shqiptar, Shpat Kasapi, ka kaluar kufijtë e rajonit dhe ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

Tabloidi britanik DailyMail i ka kushtuar një artikull të gjatë ngjarjes së rëndë, duke e përshkruar artistin si një figurë të dashur të skenës muzikore shqiptare dhe kosovare.

Siç shkruan DailyMail, Kasapi ka ndërruar jetë në moshën 40-vjeçare pas një ataku të papritur kardiak në Monza të Italisë. Ai dhe bashkëshortja e tij, Selvije Jao, ndodheshin atje për të kërkuar këshilla mjekësore për djalin e tyre të vogël, Roel.

Lajmi u konfirmua edhe nga Daily Star, ndërsa pikërisht Selvije ishte ajo që e ndau publikisht dhimbjen e humbjes së partnerit të jetës.

Tabloidi britanik publikoi edhe pjesë nga postimi rrëqethës i Selvijes, e cila shkroi se Shpati “vdiq në krahët e saj”, duke rrëfyer se sa e afërt kishte qenë marrëdhënia e tyre dhe sa shumë kishin punuar për të ruajtur privatësinë e familjes.

“Pse m’u thye zemra kështu, i dashur?”, ishte një nga pyetjet prekëse që ajo ndau me ndjekësit e saj në Instagram.

Media britanike solli në vëmendje edhe reagimin e artisten shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, e cila ndau një video të Kasapit duke kënduar, shoqëruar me një emoji të pëllumbit të bardhë dhe flamurin shqiptar.

DailyMail i kushtoi hapësirë edhe karrierës së Shpat Kasapit, duke e cilësuar atë si një artist me shumë hite që u bë i famshëm në fillim të viteve 2000 me këngë si Ajo më mungon, Valle Kosovare, Dashni pa limit dhe Aroma e saj.

Ata theksuan se kënga e tij më e fundit, N’dahëm sot, ishte pranë një milioni shikimeve në YouTube, ndërsa në Spotify numëronte gati 340 mijë dëgjues mujorë.

Në artikull u rikujtua edhe pjesëmarrja e tij në garën për Eurovision në vitin 2009, ku Kasapi konkurroi për të përfaqësuar Shqipërinë, por humbi ndaj Kejsi Tolës me këngën Carry Me in Your Dreams.

DailyMail e mbylli raportimin duke e përshkruar Shpat Kasapin si një figurë të dashur, të respektuar dhe pjesë të pandashme të muzikës shqiptare - një humbje e cila la një boshllëk të madh tek familja, miqtë dhe publiku që e ka ndjekur për më shumë se dy dekada. /telegrafi