Zhgënjyese, Eurovisioni konfirmon vetëm 35 shtete pjesëmarrëse në 70-vjetorin e Festivalit
Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) ka konfirmuar listën e transmetuesve publikë që do të garojnë në edicionin e 70-të të Eurovisionit, i cili do të organizohet nga transmetuesi publik i Austrisë ORF në Vjenë në muajin maj.
35 transmetues do të dërgojnë këngë dhe artistë në Vjenë për Eurovision 2026, i cili do të zhvillohet nga 12 deri më 16 maj.
Transmetuesit që marrin pjesë në edicionin e 70-të të Eurovision Song Contest janë:
RTSH (Shqipëri)
AMPTV (Armeni)
SBS (Australi)
ORF (Austri)
Ictimai (Azerbajxhan)
RTBF (Belgjikë)
BNT (Bullgari)
HRT (Kroaci)
CyBC (Qipro)
CT (Çeki)
DR (Danimarkë)
ERR (Estoni)
YLE (Finlandë)
FT (Francë)
GPB (Gjeorgji)
ARD/SËR (Gjermani)
ERT (Greqi)
KAN (Izrael)
RAI (Itali)
LSM (Letoni)
LRT (Lituani)
RTL (Luksemburg)
PBS (Maltë)
TRM (Moldavi)
RTCG (Mal i Zi)
TVR (Rumani)
NRK (Norvegji)
TVP (Poloni)
RTP (Portugali)
SMRTV (San Marino)
RTS (Serbi)
SVT (Suedi)
SRG SSR (Zvicër)
Suspilne (Ukrainë)
BBC (Mbretëria e Bashkuar).
Tre transmetues nga Bullgaria (BNT), Rumania (TVR) dhe Moldavia (TRM) po rikthehen në Konkurs – pas mungesash përkatësisht tre, dy dhe njëvjeçare – ndërsa Eurovisioni feston edicionin e tij të 70-të.
15 këngë do të garojnë në Gjysmëfinalen e Parë më 12 maj dhe 15 këngë në Gjysmëfinalen e Dytë më 14 maj.
Eurovisioni në prag të 70-vjetorit është përballur me krizën më të madhe ndonjëherë, pasi pesë shtete janë larguar [Spanja, Holanda, Sllovenia, Irlanda dhe Islanda], duke kërkuar që Izraeli të përjashtohet pas luftës në Gazë.
Kosova fatkeqësisht nuk është në listën e shteteve pjesëmarrëse as për vitin e ardhshëm, pavarësisht tentimeve të vit pas viti për të marrë pjesë, transmeton Zeri.info.
Siç është njoftuar më parë, juritë rikthehen për të votuar në Gjysmëfinale për herë të parë që nga viti 2022. Pikët e tyre do të kombinohen me rezultatet e votimit të publikut për të vendosur 10 këngët që kualifikohen nga secila Gjysmëfinale.
Këto 20 këngë do t’u bashkohen këngëve të kualifikuara paraprakisht nga vendi mikpritës ORF (Austri), FT (Francë), ARD/SËR (Gjermani), RAI (Itali) dhe BBC (Mbretëria e Bashkuar) në Finalen e Madhe më 16 maj.
Më pas, shikuesit në të gjitha vendet pjesëmarrëse dhe në pjesën tjetër të botës, së bashku me juritë e emëruara nga 35 transmetuesit pjesëmarrës, do të votojnë në Finalen e Madhe për të vendosur fituesin e edicionit të 70-të të Eurovision Song Contest.
Shorti për të përcaktuar se në cilën gjysmëfinale do të interpretohet secila këngë do të zhvillohet në Vjenë, të hënën, më 12 janar. /Zëri
