Anuloi koncertin në qendrën Trump-Kennedy, kërkohen 1 milion dollarë dëmshpërblim nga muzikanti

Anuloi koncertin në qendrën Trump-Kennedy, kërkohen 1 milion dollarë dëmshpërblim nga muzikanti

Showbiz December 28, 2025 - 13:14

Kryetari i qendrës Trump- Kennedy, Richard Grenell, i ka dërguar një letër muzikantit Chuck Redd, pasi ai anuloi koncertin e tij, i cili ishte planifikuar të zhvillohej në objektin kulturor. Anulimi i koncertit erdhi pas riemërimit të qendrës ku u shtua edhe emri i presidentit amerikan, Donald Trump.

Grenell në letrën e tij ka akuzuar muzikantin për “manipulim politik” dhe duke njoftuar se do të kërkojë 1 milion dollarë dëmshpërblim për anulimin e shfaqjes së natës së Krishtlindjeve. Ai e quajti vendimin e muzikantit një shembull klasik të fanatizmit dhe theksoi se ai shkaktoi një goditje të rëndë financiare për një organizatë jofitimprurëse arti.

Bateristi Chuck Redd konfirmoi në një mesazh për Associated Press se ishte tërhequr nga koncerti për shkak të ndryshimit të emrit. Ai tha se kur vuri re se emri i Trump u shfaq fillimisht në faqen e internetit të Qendrës Kennedy dhe disa orë më vonë në vetë ndërtesën, vendosi ta anulonte eventin.

Redd kishte organizuar Jazz Jams vjetore të festave në Qendrën Kennedy që nga viti 2006, duke pasuar basistin William “Keeter” Betts. Ai e përshkroi eventin si një traditë shumë të njohur të Krishtlindjeve, ku shpesh merrnin pjesë studentë muzike. Ai vuri në dukje se anulimi i koncertit ishte i trishtueshëm.