“Beteja më e vështirë e jetës”, Antigona Ramosaj zbulon se është diagnostikuar me kancer
Antigona Ramosaj, nëna dhe mbështetësja më e madhe e dy artistëve të dashur, Beatrix dhe Alban Ramosaj, ka ndarë ditën e sotme një lajm të trishtë me ndjekësit e saj.
Përmes një postimi prekës në rrjetet sociale, Antigona ka zbuluar se po kalon një nga sfidat më të vështira shëndetësore, pasi është diagnostikuar me kancer. Ajo bëri me dije se sapo ka përfunduar seancën e parë të kimioterapisë.
“Miqtë e mi, këto ditë po kaloj një nga betejat më të vështira të jetës sime, luftën me kancerin. Sot sapo kam përfunduar kimioterapinë e parë dhe ndihem shumë e lodhur, por zemra ime është plot”, shkruan ajo.

Përveç njoftimit për gjendjen e saj, Antigona ka treguar forcë të jashtëzakonshme duke e përdorur këtë moment për të dhënë një mesazh sensibilizues për të gjitha vajzat dhe gratë. Ajo bën thirrje që të mos neglizhohen kontrollet mjekësore për asnjë lloj shqetësimi.
“E vetmja arsye pse po shkruaj publikisht është për të inkurajuar vajzat dhe gratë që të mos i lënë pas dore kontrollet mjekësore, as për shqetësimet më të vogla”, thekson ajo në mesazhin e saj.
Antigona e mbyll shkrimin duke falënderuar të gjithë për mbështetjen, lutjet dhe fjalët e bukura që i kanë dhënë forcë në këto ditë të vështira.
Familja Ramosaj njihet për lidhjen e ngushtë me njëri-tjetrin dhe ky lajm padyshim ka prekur jo vetëm të afërmit, por edhe ndjekësit e shumtë që e respektojnë atë si një figurë të fortë dhe pozitive.