Zbulohen datat e festivalit “Sunny Hill 2026” në Prishtinë

Zbulohen datat e festivalit “Sunny Hill 2026” në Prishtinë

Showbiz February 18, 2026 - 20:28

Festivali më i madh i muzikës në vend, Sunny Hill Festival, ka zbuluar zyrtarisht datat për edicionin e vitit 2026, duke konfirmuar se ngjarja e shumëpritur do të mbahet më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht në Prishtina.

Sipas njoftimit zyrtar, lokacioni mbetet i njëjtë si në edicionet e fundit — parku i festivalit në Bernicë e Epërme, i cili tashmë është shndërruar në një pikë referimi për adhuruesit e muzikës dhe eventeve të mëdha verore.

Organizatorët paralajmërojnë se së shpejti pritet edhe publikimi i emrave të artistëve që do të performojnë në skenën e festivalit.

Ky festival organizohet nga Republika Agency, agjencia e udhëhequr nga Dukagjin Lipa, babai i superyllit botëror Dua Lipa. Me kalimin e viteve, Sunny Hill është shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore në rajon, duke sjellë në Kosovë artistë ndërkombëtarë dhe duke e vendosur vendin në hartën globale të festivaleve verore.

Edicioni i vitit 2026 pritet të vazhdojë këtë traditë, ndërsa publiku tashmë ka nisur numërimin mbrapsht për tri netët e muzikës, energjisë dhe atmosferës unike që vetëm Sunny Hill di të ofrojë.