Jonida rrëfen si u njoh me Romeo Veshajn: Më bëri një batutë në Instagram, është karizmatik
E ftuar në emisionin “Mirëmbrëma Yje” të Arbana Osmanit, Jonida hapi zemrën duke rrëfyer pjesë nga jeta e saj, duke përfshirë momentet më të vështira, por edhe ato që i kujton me buzëqeshje.
Pas një historie prekje nga jeta e saj që e bëri të përlotej, Arbana ndryshoi temën e intervistës duke e pyetur për Romeo Veshajn, duke sjellë një atmosferë më të lehtë. Kjo bëri që Jonida të qeshte dhe të tregonte se si e kishte njohur atë.
Arbana: Si u njohët ju atëherë?
Jonida: U njohëm rastësisht, njiheshim si figura televizive dhe u përshëndetëm një dy herë.
Më tej, Jonida rrëfeu se Romeo kishte shkuar ta përshëndeste kur ajo ishte dalë me shoqet e saj.
“Siç është Romeo, karizmatik, me një humor që s’ia kisha parë asnjë mashkulli, duke ardhur pas një marrëdhënieje 17-vjeçare me një burrë si Genti, që ishte 7 vite më i madh se unë, serioz dhe i rezervuar, me një karakter paksa të ftohtë, pashë një qenie mashkullore krejtësisht ndryshe që menjëherë më fascinoi. Pastaj të nesërmen do të nisesha në Turqi me një shoqen time dhe mamanë e saj në një dasmë dhe nuk e di se ç’më bëri një batutë në Instagram, ku e di se ç’po bëja nga rutinat e mia, tha: ‘Pse ti ishe ajo e djeshmja’, diçka e tillë”.
Jonida tregoi se i kishte kthyer përgjigje dhe gjatë qëndrimit në Stamboll kishte komunikuar me Romeon pa ndërprerje.
“Pastaj dolëm, menjëherë qeshëm. Ka qenë një periudhë shumë e bukur e jetës sime, e kujtoj me dashamirësi, sepse kemi ruajtur raportet dhe kjo është shumë e rëndësishme”, përfundoi Jonida. /telegrafi