Ja sa vjet burg rrezikon 35-vjeçarja që sulmoi vilën e Rihannas në Beverly Hills
Gruaja 35-vjeçare e identifikuar si Ivanna Ortiz, e cila u akuzua për të shtënat me armë në rezidencën e këngëtares së njohur Rihanna në Beverly Hills, mund të përballet me burgim të përjetshëm nëse shpallet fajtore.
Sipas mediave amerikane, Ivanna Ortiz u akuzua të martën, më 10 mars, për gjithsej 14 akuza penale, përfshirë një akuzë për tentativë vrasjeje. Në kallëzimin penal thuhet se vepra dyshohet të ketë qenë “e qëllimshme, e paramenduar dhe e menduar paraprakisht”.
Përveç kësaj, Ortiz përballet edhe me 10 akuza për sulm me armë zjarri gjysmëautomatike dhe tre akuza për të shtëna drejt një banese të banuar.
Sipas autoriteteve, e dyshuara thuhet se iu afrua me makinë shtëpisë së Rihanna-s në Beverly Hills dhe qëlloi disa herë me një armë zjarri në drejtim të rezidencës luksozë. Në momentin e incidentit në banesë ndodheshin tetë persona, përfshirë këngëtaren, partnerin e saj reperin A$AP Rocky dhe tre fëmijët e tyre. Po ashtu në shtëpi ndodheshin gjithashtu edhe nëna e artistes dhe dy punonjës.
Fatmirësisht, nga të shtënat nuk u raportua asnjë i plagosur.
Prokurori i Qarkut të Los Anxhelosit, Nathan J. Hochman, deklaroi se hapja e zjarrit në një zonë të populluar është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe vë në rrezik jetën e njerëzve.
“Për fat të mirë askush nuk u plagos në këtë incident, por kjo lloj dhune nuk do të tolerohet në komunitetin tonë”, u shpreh ai në një deklaratë për mediat.
Pas incidentit, Ortiz dyshohet se u largua nga vendi i ngjarjes, por u arrestua pak më vonë në zonën e Sherman Oaks. Gjykata ka caktuar për të një shumë garancie prej 1.875.000 dollarësh.
Seanca e radhës gjyqësore për këtë çështje është planifikuar të zhvillohet më 25 mars, shkruan “People”.
Hetimet tregojnë se sulmi mund të jetë paraprirë nga një sërë postimesh shqetësuese që Ortiz kishte publikuar në rrjetet sociale javët e fundit. Në një kanal të saj në YouTube, ku publikonte video me titull “Ditari i një gruaje që lutet”, ajo i drejtohej drejtpërdrejt këngëtares me deklarata të paqarta dhe agresive, duke e akuzuar dhe duke shfaqur një lloj obsesioni ndaj saj. /telegrafi


