Reperi Balendra Shah fiton zgjedhjet në shtetin e Nepalit

Reperi Balendra Shah fiton zgjedhjet në shtetin e Nepalit

Showbiz March 12, 2026 - 18:59

Partia Rastriya Swatantra Party (RSP) ka shënuar një fitore dërrmuese në zgjedhjet në Nepal - zgjedhjet e para që u mbajtën pasi protestat e udhëhequra nga të rinjtë vitin e kaluar rrëzuan qeverinë e atëhershme.

Në rezultatin përfundimtar, RSP siguroi 182 vota, duke mbetur vetëm dy vende larg shumicës së cilësuar prej dy të tretash në dhomën e ulët të parlamentit. Megjithatë, kjo përbën fitoren më të madhe të një partie të vetme në Nepal në dekada, shkruan BBC.

Partia Nepali Congress u rendit e dyta me 38 vota, ndërsa Communist Party of Nepal (UML) doli e treta me 25 vota. Pjesëmarrja në votime ishte rreth 60 për qind e afro 19 milionë votuesve me të drejtë vote. Rezultati e vendos liderin e RSP-së, Balendra Shah – një reper i kthyer në politikan – në rrugën për t’u bërë udhëheqësi i ardhshëm i vendit.

Formimi i qeverisë së re pritet të zgjasë të paktën një javë.

Fitorja përbën një kthesë të jashtëzakonshme për RSP-në, e cila është themeluar vetëm në vitin 2022 dhe në zgjedhjet e mbajtura po atë vit kishte dalë në vendin e katërt. Edhe vet Shah, ashtu si partia që iu bashkua relativisht vonë, konsiderohet ende i patestuar politikisht. Përvoja e tij e vetme në politikë deri tani ka qenë si kryetar i bashkisë së kryeqytetit, Katmandu.

Fitorja është edhe më domethënëse duke pasur parasysh sistemin e përzier politik të Nepalit, i cili kombinon modelin “i pari që kalon vijën e finishit” me përfaqësimin proporcional – një formulë që matematikisht synon të parandalojë dominimin e një partie të vetme.

Rezultati i zgjedhjeve reflekton dëshirën për ndryshim që u pa edhe gjatë fushatës elektorale, ku partitë kërkuan mbështetjen e të rinjve me premtime për adresimin e problemeve si papunësia, stagnimi ekonomik dhe pabarazia.

Këto ishin po të njëjtat çështje që çuan në protestat e vitit të kaluar të udhëhequra nga të rinjtë, të cilat fillimisht nisën kundër një ndalimi të rrjeteve sociale dhe më pas u përshkallëzuan. Demonstruesit kritikuan sistemin politik të Nepalit dhe simbolikën e pabarazisë së klasave, duke përmendur edhe fenomenin e “nepo babies” – fëmijët e politikanëve të fuqishëm të vendit.

Gjatë protestave u vranë gjithsej 77 persona, ndërsa një hetim i BBC zbuloi se shefi i policisë së vendit kishte dhënë urdhër që të lejohej përdorimi i forcës vdekjeprurëse kundër mijëra protestuesve të paarmatosur.

Protestat përfundimisht çuan në rrëzimin e liderit të atëhershëm të vendit, KP Sharma Oli. Megjithatë, ai kandidoi sërish për postin e kryeministrit, duke shprehur besim se do të rizgjidhej.

Por jo vetëm që partia e tij, CPN-UML, doli e treta në zgjedhje, por vetë Oli u mund bindshëm nga Shah në zonën zgjedhore Jhapa 5, e cila për shumë vite ishte konsideruar bastion i tij politik.

Ndërkohë, edhe lideri i ri i Nepali Congress, Gagan Thapa – partisë më të vjetër demokratike të vendit – humbi vendin e tij në parlament ndaj një kandidati të RSP-së. /telegrafi

Image

Image