Harry Styles thyen rekordin e tij, ngjitet në krye të listave në Britani
Harry Styles ka kryesuar për herë të tretë listën e albumeve në Mbretërinë e Bashkuar me albumin e tij më të ri, Kiss All The Time. Disco Occasionally..
Sipas Official Charts Company, albumi ka shitur më shumë se 183 mijë kopje pas publikimit të premten e kaluar, duke kaluar shifrat e javës së parë të albumit të tij të mëparshëm, Harry’s House, i cili kishte shitur 113 mijë kopje në vitin 2022.
Rreth 66 mijë prej këtyre albumeve janë shitur në format vinili, duke e bërë atë publikimin fizik më të shitur të vitit.
Ky sukses vjen pavarësisht kritikave jo shumë entuziaste për albumin. The Telegraph shkroi se albumi kishte “gjithë peshën emocionale të një reklame parfumi”.
Edhe The Guardian i dha tre yje, duke e përshkruar përvojën e dëgjimit si “i këndshëm gjatë gjithë kohës, i mirë, herë pas here”.
NME ishte më pozitiv, duke shkruar se Styles tingëllon “i çliruar dhe plot dritë, edhe në momentet më melankolike”, ndërsa revista Clash e cilësoi albumin si “një përqafim të suksesshëm të evolucionit personal dhe, mbi të gjitha, sensual”.
Në intervista, këngëtari ka thënë se albumi është frymëzuar nga përpjekja e tij për t’u rikthyer në jetën reale pas turneut 22-mujor Love On Tour.
Styles prezantoi albumin me një koncert special në Manchester, i cili u filmua dhe u publikua si një speciale në Netflix të dielën.
Sipas Official Charts Company, kjo ndihmoi që Kiss All The Time... të arrijë javën më të fortë hapëse të vitit.
Po ashtu, kjo është java më e madhe hapëse për një artist solo mashkull në nëntë vitet e fundit, që nga albumi ÷ (Divide) i Ed Sheeran në vitin 2017.
Styles gjithashtu kryesoi këtë javë listën e këngëve teke me American Girls, ndërsa dy këngë të tjera u renditën në top pesëshe – Aperture në vendin e katërt dhe Ready, Steady, Go! në vendin e pestë, transmeton RTK.
Suksesi i tij do të thotë se artistët britanikë kanë mbajtur vendin e parë në listën e albumeve për secilën nga 11 javët e para të vitit 2026 – hera e parë që kjo ndodh në një dekadë.
Ky lajm erdhi në të njëjtën javë kur BPI njoftoi se industria muzikore e Mbretërisë së Bashkuar kishte gjeneruar një rekord prej 1.57 miliardë paundësh në vitin 2025.