Gjesti dorëzon kallëzim penal ndaj kompanisë “Onima” për të drejtat e autorit
Këngëtari i njohur Gjesti ka njoftuar se do të ndërmarrë hapa ligjorë ndaj kompanisë “Onima”, duke e akuzuar për shkelje të të drejtave të autorit.
Përmes një reagimi publik, Gjesti bëri të ditur se, pas konsultave me avokatët e tij, sot në orën 14:00 do të dorëzojë kallëzim penal në prokurori kundër kompanisë, stafit dhe bashkëpunëtorëve të saj.
Sipas tij, pa dijeninë dhe pa autorizimin e tij, është nënshkruar një kontratë që lidhet me të drejtat e autorit për të gjitha veprat e tij muzikore.
“Pa dijeninë dhe pa autorizimin tim kanë nënshkruar kontratë rreth të drejtave të autorit për të gjitha veprat e mia”, thuhet në reagimin e artistit.
Gjesti gjithashtu ka bërë të ditur se do të jetë i hapur për mediat, ku së bashku me avokatin e tij do t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve lidhur me këtë çështje.
Rasti pritet të marrë vëmendje të madhe publike, pasi lidhet me të drejtat e autorit dhe marrëdhëniet kontraktuale në industrinë muzikore.