Terrence Malick rikthehet me “The Way of the Wind”, premierë globale në Netflix më 26 maj
Regjisori i njohur amerikan Terrence Malick pritet të rikthehet në skenën ndërkombëtare të kinemasë me projektin e tij të shumëpritur, “The Way of the Wind”, i cili do të shfaqet premierë globale në platformën “Netflix” më 26 maj.
Filmi, i cili ka qenë në proces montazhi për gati shtatë vite, konsiderohet një nga veprat më ambicioze dhe intime të Malick, duke sjellë një portret shpirtëror të jetës së Jezusit. Projekti ka qëndruar për një kohë të gjatë larg vëmendjes së publikut, duke rritur pritshmëritë për një rikthim të fuqishëm të regjisorit fitues të Palmës së Artë.
Në një reflektim të publikuar në “Production notes”, Malick ndan filozofinë e tij mbi kufijtë dhe mënyrën se si arti arrin te publiku:
“Unë kurrë nuk kam besuar vërtet në kufij – as mes njerëzve dhe as mes imazheve. Nëse një imazh arrin te dikush, kudo që ai ndodhet, atëherë ai tashmë ka gjetur vendin e tij,” është shprehur ai.
Regjisori pranon se kinematë mbeten hapësira me një dimension të shenjtë, por thekson gjithashtu intimitetin që krijohet përmes ekranit personal, duke sugjeruar se ky film mund t’i përkasë më shumë një përjetimi të brendshëm dhe individual.
Vendimi për ta shpërndarë filmin drejtpërdrejt në Netflix ka surprizuar publikun dhe industrinë, duke shënuar një ndryshim të rëndësishëm për një autor të njohur për lidhjen e tij me përvojën tradicionale të kinemasë.
“The Way of the Wind” pritet të jetë një tjetër kapitull i rëndësishëm në kërkimin artistik të Malick, mes natyrës, dritës dhe dimensionit shpirtëror që karakterizon veprat e tij./atsh