Ademi shtroi darkë për presidentin e Federatës së Bullgarisë, Borislav Mikhailov
Në prag të ndeshjes së parë të kualifikimeve për Euro 2020 që Kosova do ta zhvillojë kundër Kombëtares së Bullgarisë, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, sipas traditës, ka shtruar darkë zyrtare për delegacionin e Federatës së Futbollit të Bullgarisë në krye me presidentin Borislav Mikhailov, e ku ishin të pranishëm edhe delegati i UEFA-s si dhe nënkryetari Bakir Burri e sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu.
Duke ju dëshiruar mirëseardhje e qëndrim të këndshëm në Kosovë, presidenti Ademi i njohu mysafirët për zhvillimin dhe të arriturat e futbollit të Kosovës pas anëtarësimit në UEFA e FIFA, si dhe për investimet që po bëhen në infrastrukturë, me qëllim të përmirësimit të kushteve për futbollistët, shkruan FFK, përcjell Zëri.
Ndërkaq, presidenti i FF të Bullgarisë falënderoi për mikpritjen e ngrohtë dhe i veçoi raportet me presidentin Ademi si tejet miqësore dhe shprehu gatishmërinë e bashkëpunimit edhe në të ardhmen për të mirën e dy federatave.
Gjatë darkës u shkëmbyen edhe batuta të ndryshme, derisa të dyja palët uruan që ndeshja e nesërme përkundër rëndësisë së madhe të kalojë në frymë të korrektësisë maksimale dhe të fitojë skuadra që e meriton.
Në fund të darkës u shkëmbyen edhe dhurata nga të dy presidentët dhe anëtarët e tjerë të delegacioneve./Zëri/