Ish-futbollisti i Unitedit: Po të kisha shkuar një ditë më vonë në spital do të kisha vdekur

Ish-futbollisti i Unitedit: Po të kisha shkuar një ditë më vonë në spital do të kisha vdekur

Sport April 26, 2019 - 11:03
Detajet

Ish-futbollisti i Manchester Unitedit, Karel Poborsky, ishte shumë afër vdekjes në vitin 2016. Ai thotë se po të ishte vonuar vetëm një ditë për të shkuar në spital nuk do të jetonte më, shkruan sot, gazeta "Zëri"

“Nëse do të arrija në spital një ditë më vonë se që kisha shkuar kjo intervistë nuk do të kishte ndodhur. Unë arrita në spital shumë vonë për të gjetur diagnozën e infektimit, ata më vendosën menjëherë në komë. Pasi u zgjova ata më pyetën se si quhesha dhe tabelën e shumëzimit. Të gjithë muskujt e fytyrës sime ishin paralizuar, ishte një infektim i trurit. Unë qëndrova tri javë i shtrirë në spital me antibiotikë të fortë direkt në venat e mia. Unë nuk mund të qaja, unë duhej t’i mbaja sytë e mbuluar, sepse isha shumë i ndjeshëm ndaj dritës. Unë isha shumë i frikësuar”, tregon Karel Poborsky për të përditshmen angleze “The Guardian”.

Image

Poborsky ende nuk e di se si u sëmurë në verën e vitit 2016, një teori është se një parazit i vendosur në mjekrën e tij e kafshoi, por gjëja më e rëndësishme është se tani ai është i shëndetshëm dhe në gjendje të mirë, transmeton zeri.info

I ulur në recepsion të një hoteli në Londër përkrah partneres së tij Andrea Tomsu, sytë e tij shkëlqejnë dhe ai flet me plot pasion për jetën dhe karrierën e tij.

Ai tregon edhe turpërinë dhe ngrohtësinë e tij, përderisa tatuazhet e tij, disa prej të cilave ua ka kushtuar njerëzve më të dashur të tij, janë të fshehura nën rrobat e tij të thjeshta, por të shtrenjta. Fatmirësisht ai nuk ngjan më me njeriun që pothuajse e humbi jetën e tij para tre vjetësh.

Kampionati Evropian i vitit 1996 ishte momenti më i rëndësishëm për Republikën Çeke, që atëkohë sapo kishte mbushur tre vjet pavarësi, pasi u formua nga ndarja me Sllovakinë. Ky turne ishte i pari për ta dhe tifozët shkuan me plot kërshëri për ta parë përfaqësuesen e tyre në Angli. Lojtarët ishin të lumtur që stërviteshin në një shkollë fillore të Prestonit dhe madje aranzhuan një ndeshje miqësore ndaj klubit vendas Bamber Bridge disa ditë para ndeshjes së tyre hapëse. “Askush nuk priste asgjë nga ne. Ne ishim kuajt e zinj. Ne vetëm mund të befasonim”, thotë Poborsky.

Dhe ata befasuan. Humbja 2:0 nga Gjermania u pasua me një fitore befasuese 2:1 ndaj Italisë, ku Poborsky bëri një asistim mjeshtëror për Pavel Nedvedin dhe më pas barazuan 3:3 kundër Rusisë, në një ndeshje ku talenti i ri Vladimir Smicer e shënoi golin e barazimit.

Poborsku e mori vëmendjen në fazën çerekfinale, ku e shënoi golin e vetëm në fitoren 1:0 ndaj Portugalisë. Një parabolë unike për të mposhtur Vitor Baian në afërsi të zonës së penalltisë ishte një gol brilant që e vendosi një ndeshje të tensionuar. “Në ekipin kombëtar unë bëra gati 120 paraqitje dhe shënova vetëm tetë herë, që tregon se loja ime ishte e bazuar për të përkrahur të tjerët. Por disa prej golave që i shënova ishin të veçantë dhe dukeshin të tillë”, shprehet ish-futbollisti i Manchester Unitedit, transmeton zeri.info 

Poborsky shënoi nga gjuajtjet e penalltive në “Old Trafford” për ta eliminuar Francën, para se të mposhtej 2:1 nga Gjermania në “Wembley”. “Para finales ne ndiem se e gjithë Anglia po bënte tifo për ne, sepse Gjermania i mposhti ata në gjysmëfinale. Brenda dhomës së vogël e të vjetër të zhveshjes unë ndjeva se tre të katërtat e stadiumit na përkrahnin neve, që ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme. Sir Alex Ferguson erdhi që të vizitonte në hotel, në Prreston, para finales dhe më pyeti nëse do të doja që të transferohesha te Manchester Unitedi, unë natyrisht që thashë po”, deklaron Poborsky, i cili u lind në Trebon, afër kufirit me Austrinë, në 1972-n. “Sapo e dëgjoi përgjigjen time ai u largua. Një muaj më vonë unë po luaja për Manchesterin. Ju duhet ta kuptoni që unë erdha nga një qytet i vogël me 4.000 njerëz. Të rriturit në Çekosllovaki nën komunizëm, askush nuk ishte lejuar që të mësonte anglisht ose gjermanisht, ose edhe ndonjë gjuhë tjetër. Kështu unë nuk isha i aftë për gjuhë, asgjë”, tregon ai.

Çeku i kaloi vetëm 18 muaj në United, kryesisht për shkak të një talenti të madh të quajtur David Beckham. “Nuk kisha rivalitet personal me Beckhamin. Ai ishte shumë përkrahës dhe shpesh më pyeste për familjen time. Jordi Cruyff ishte gjithashtu aty atëkohë dhe ai nuk luante shpesh. Ndonjëherë unë luaja për rezervat, por Jordi thoshte: ‘Jo, nuk shkoj, jam këtu për ekipin e parë’. Ndoshta kjo është arsyeja se pse tifozët më donin dhe ende më kujtojnë mua, sepse e shihnin entuziazmin tim dhe që isha i gatshëm në çdo kohë. Nuk kishte rëndësi nëse luaja një ndeshje të plotë ose vetëm një minutë. Unë e pranova se Beckhami ishte numri një dhe unë isha i dyti në radhë. Unë shkova te Fergusoni dhe i tregova se doja të luaja, ai më gjeti tre ose katër klube në Angli. Klube të vogla si Leedsi. Por unë mora një ofertë nga Benfica dhe u largova drejt Lisbonës në janar të 1998-s. Pas gjashtë muajsh unë u votova si lojtari më i mirë në Portugali, por edhe tani zemra ime rrah për Manchester Unitedin”, thotë Poborsky. Pas një suksesi të madh te Benfica dhe një lëvizjeje drejt një ekipi të talentuar të Lazios me Nedvedin, Alessandro Nestan, Diego Simeonen, Marcelo Salasin, Juan Sebastian Veronin dhe Hernan Crespon, Pobrosky e mbylli karrierën e tij në Çeki pasi e ndihmoi shtetin e tij të shkonte në gjysmëfinale të Evropianit të vitit 2004, gjatë së cilit ai ishte asistuesi më i mirë. Vetëm Petr Cech ka bërë më shumë paraqitje se ai për Çekinë.

Këto ditë Poborsky është drejtor i akademisë për Federatën e Futbollit Çek, kur nuk luan golf me Nedvedin dhe është emëruar ambasador për “EURO 2020”. Poborsky do të marrë pjesë në një ndeshje miqësore mes legjendave të Manchester Unitedit dhe Bayern Munichut më 26 maj në “Old Trafford”, 20 vjet pas finales së tyre të famshme të Ligës së Kampionëve. Poborsky u largua nga klubi anglez në vitin 1999, por mori ftesë për shkak se është një përkrahës i madh i Fondacionit të Manchester Unitedit, që është sponsor i kësaj ndeshjeje./Zëri