Një tjetër futbollist kosovar i bashkohet Aaraus në kampionatin zviceran

Një tjetër futbollist kosovar i bashkohet Aaraus në kampionatin zviceran

Sport August 10, 2019 - 11:56

Djelmoshat kosovarë që luajnë kudo në Evropë vazhdojnë të shënojnë hapa para në karrierën e tyre profesionale.

I fundit që e ka bërë këtë lëvizje është 20 vjeçari, Donat Rrudhani.

Kosovari i lindur dhe rritur në Francë, ka arritur marrëveshje me klubin zviceran FC Aarau, aty ku para pak ditësh kaloi edhe tashmë ish-futbollisti i Besës nga Peja, Liridon Balaj.

Mediat nga vendi helvetik kanë raportuar sot për akordin klub-lojtar, duke e cilësuar këtë të fundit si e ardhmja e vendit të tij. Gjithashtu, shtuan faktin se Rrudhani ishte njëri nga më meritorët që ish-skuadra, ‘Black Stars’ u promovua në një rang më të lartë garash, kjo duke i’u falenderuar 15’të golave të tij.Ish-anëtari i skuadrave franceze, CO Langres e FC Brunstatt (Juniorët), ka shënuar shtatë gola në vetëm katër paraqitje gjatë kësaj faze përgatitore.

Burime të Gazeta Blic të afërta me lojtarin, kanë konfirmuar se futbollisti ka pasur oferta edhe nga klubi më i madh në Zvicër, Baseli, por për shkak të zhvillimit në karrierë, Rrudhani e ka menduar që të shkojë dalëngadalë, duke u bazuar edhe në faktin se te Aarau do të ketë më tepër minutazh. Gjithashtu, ajo që është e rëndësishme dhe duhet të bëhet realitet sa më shpejtë, është ftesa e kombëtares U21.

Rrudhani është njëri prej futbollistëve më me potencial të Kosovës, dhe një ftesë e grupmoshave U21 nuk është larg mendjes, kurse duke u bazuar në atë se lojtari po e pret me gjithë zemër, atëherë kjo mund të bëhet realitet qysh në muajin Shtator.