Federata e Futbollit të Serbisë reagon pas shkrimit të gazetës ‘Zëri’

Federata e Futbollit të Serbisë reagon pas shkrimit të gazetës ‘Zëri’

Sport shtator 19, 2019 - 13:41
Detajet

Federata e Futbollit e Kosovës ka qenë shumë e ashpër dhe ka kërkuar nga Policia dhe nga instancat tjera që për siguri dhe për mbrojtje të sovranitetit territorial të Republikës së Kosovës ta ndalojnë zhvillimin e ndeshjes Trepça – Crvena Zvezda, e cila ka tendencë për ta penguar përfshirjen e skuadrave serbe në futbollin e Kosovës, shkruan Zëri.info.

Hapat gjigantë të ngritjes së futbollit të Kosovës dhe bërja që bota të flasë për Kosovën kanë bërë që Serbia të ndihet aq keq dhe të nisë një fushatë të paparë për ta penguar këtë.

Duke mos zgjedhur mënyra sesi të parandalojë, të mundohet ta prishë imazhin dhe ta destabilizojë futbollin që zhvillohet në Republikën e Kosovës Serbia po vazhdon të mënyrë ilegale të organizojë ndeshje futbolli, duke e shkelur sovranitetin e shtetit të Kosovës.

Ditë parë Federata Serbe e Futbollit njoftoi se do të organizojë ndeshje të karakterit garues në kuadër të Kupës së Serbisë në Zveçan, ndërmjet klubit ilegal “Trepça” nga Mitrovica e Veriut dhe klubit Crvena Zvezda nga Beogradi.

Image

Kjo nuk është hera e parë që Serbia ndërmerr këso hapash, duke mos respektuar asnjë rregullore as të UEFA-s e as të FIFA-s, e cila parandalon zhvillimin e garave në një territor të shtetit tjetër.

Sipas Federatës së Futbollit të Kosovës, Serbia ka për qëllim destabilizimin e gjendjes në veri të vendit tonë, derisa sipas sekretarit të përgjithshëm të Federatës së Futbollit të Kosovës Eroll Salihut, Serbia nuk mund ta prishë imazhin e futbollit të Kosovës, ajo është duke e prishur vetëm imazhin e vendit të vet dhe duke i treguar botës se nuk respekton asnjë marrëveshje ose rregullore.

Sipas Salihut, Federata e Futbollit e Kosovës, si organi i vetëm legal në Kosovë, nuk ka dhënë leje për zhvillimin e një ndeshjeje të tillë dhe këtë e vlerëson si një tendencë për ta destabilizuar gjendjen atje, por edhe po e pengon përfshirjen e skuadrave serbe nën ombrellën e FFK-së.

Image

Salihu ndër të tjera për gazetën “Zëri” ka thënë se e ka njoftuar edhe Policinë e Kosovës dhe ka kërkuar nga ta të ndalojnë zhvillimin e kësaj ndeshjeje, e cila përmban një provokim të rëndë nga Federata e Futbollit e Serbisë.

“E para, organizimi i ndeshjeve të tilla nuk e dëmton imazhin e futbollit tonë, por e dëmton imazhin e vet Serbisë. Ata kanë shkelur dhe vazhdojnë të shkelin të gjitha marrëveshjet, madje edhe ato që kanë të bëjnë me jetën e njerëzve e lëre më të futbollit. Paralajmërimi për zhvillimin e një ndeshjeje të tillë është një provokim i rëndë dhe për këto është e njoftuar UEFA e FIFA. Këto dy institucione janë shumë mirë të njoftuara, madje edhe në këto momente unë jam duke e përgatitur një raport shtesë për t’i njoftuar për shkeljet e çdo rregulloreje që janë duke e bërë”, ka thënë për gazetën “Zëri” Eroll Salihu, sipas të cilit FFK-ja ka marrë hapa konkretë për t’i parandaluar këto gjëra.

“Ne e kemi njoftuar Policinë që skuadra e Cervena Zvezdës do të udhëtojë në Kosovë për të zhvilluar një ndeshje dhe nuk kanë leje për atë ndeshje. Pra kemi kërkuar nga ata të respektohet sovraniteti territorial i Kosovës dhe të mos lejohet organizimi i ndeshjeve ilegale. Pra FFK-ja është duke i përdorur të gjitha mundësitë e veta. Po them figurativisht se ne si federatë nuk mund të dalim dhe të luftojmë. Ne do t’i ndjekim të gjitha procedurat për t’i ndalur këto shkelje”, ka thënë Salihu.

Image

Pas deklaratës së Salihut për gazetën “Zëri”, ka reaguar edhe kryetari i Komisionit të Garave në Federatën e Futbollit të Serbisë Miodrag Jankovic.

Jankovic ka thënë në mënyrë skandaloze se Federata serbe do të reagojë ndaj ‘kërcënimeve’ nga Prishtina deri në fund të javës tjetër.

“Trepça si fituese e Kupës në territorin e Kosovës, ka fituar të drejtën për të vazhduar garën në kuadër të Kupës së Serbisë. Për fat të mirë ose për të keq, Crvena Zvezda do të jetë kundërshtari i tyre”, tha fillimisht Jankovic për “Informer”.

“Ne kemi parë që kjo ka reaguar reagimeve negative në Prishtinë, por ende nuk mund t’ju them se çfarë do të bëjmë në lidhje me këtë. Të premten tjetër, do të kemi më shumë informacione, duhet të bisedojmë me krerët e Federatës dhe pastaj do të vendosin”, potencoi Jankovic.

Data e ndeshjes në fjalë nuk është ende e ditur./Zëri.info