Eroll Salihu e kritikon ashpër Arianit Ahmetin: Këtu është tentuar të bëhet puç

Eroll Salihu e kritikon ashpër Arianit Ahmetin: Këtu është tentuar të bëhet puç

Sport December 06, 2019 - 20:58

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, e ka kritikuar ashpër zëvendëssekretarin tashmë të shkarkuar të kësaj Federate, Arianit Ahmetin, i cili po e synon postin e kryetarit.

Zëvendëssekretari tashmë i shkarkuar, Arianit Ahmeti, iu bashkua një grupi opozitar ndaj kryesisë aktuale të Federatës së Futbollit të Kosovës, duke e pretenduar postin e kryetarit të kësaj Federate.

Ahmeti pretendon se Agim Ademi nuk ka mandat katërvjeçar deri në vitin 2022, por vetëm deri ne vitin 2020, dhe thotë se e ka mbështetjen e 41 prej gjithsej 59 delegatëve në FFK për ta rrëzuar Ademin nga posti i presidentit të FFK-së.

Pretendimin e Ahmetit fillimisht e mbështeti edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila doli me një interpretim ligjor, me 17 muaj vonesë, se kuvendi në të cilin Ademi ishte zgjedhur kryetar ishte i parregullt. Nga ky interpretim u distancua ministri në detyrë, Kujtim Gashi, i cili tha se ai s’ishte qëndrim i Ministrisë dhe se personi që e kishte publikuar atë e kishte bërë pa dijeninë e të tjerëve.

Ndërkohë, për Ahmetin u mor vendim nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së për ta shkarkuar, pasi që u tha se ai po e shfrytëzonte postin e tij për ta dëmtuar Federatën e për ta promovuar veten. Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, ka mbetur i habitur nga pretendimet e Ahmetit.

“Tash ka dalur edhe një person i joni, që për fat të keq e kam punësuar unë, se jam sekretar gjeneral. Kemi menduar që është i ri e punëtor, mirëpo ai e ka keqpërdorur pozitën e tij si një shef i shërbimit ligjor, për ta promovuar veten, në mënyrë tinëzuar me muaj të tërë e po duket se edhe me vite”, ka thënë Salihu në emisionin sportiv “Favorit” në T7.

“Këtu është tentuar të bëhet puç nga persona të ndryshëm të politikës, estradës, të biznesit. Ai tha, në sy të krejt Kosovës, që le të dalë një person le të thotë se unë kam shkuar ta marrë një votë. Ai s’ka lënëkatun në Kosovë pa shkuar”.

“Ndoshta bëhet kryetar me dhunë, le të hynë me automata e le të bëjnë puç. Por, kush është bre ky njeri? Kurrë në jetë time s’kam dëgjuar për të në futboll. Ai është total irrelevant për futboll”.

“E tash çohet e punon, në mënyrë tinëzare, kundër kryetarit e administratës të vet, edhe thotë se Komiteti Ekzekutiv po bën punë të keqe. Nuk kam çfarë të flas më tej për këtë person. Askush s’e njeh atë, ai s’ka qenë me mua e [Fadil] Vokrrin në UEFA”.

Në anën tjetër, edhe Ahmeti e ka kritikuar Salihun, duke thënë se ai po i shkel rregullat e Federatës duke mos e hidhur kuvendin zgjedhor për një kryetar të ri.